Gramoz Levanaj jashtë drejtësisë për 15 vjet, KPA lë në fuqi vendimin për ish-gjyqtarin e Apelit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për ish-gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Tiranë, Gramoz Levanaj.

Gramoz Levanaj u dorëhoq nga detyra pasi iu rrëzua kërkesa për rihapjen e hetimit administrativ për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Pas dy vitesh hetimi administrativ, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ndëpreu me 14 prill të këtij viti procesin e rivlerësimit për Levanajn dhe i hoqi të drejtën të rikthehet në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme. 

Njoftimi i plotë i KPA

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Ina Rama  relatore, Albana Shtylla, Ardian Hajdari, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.25/2021, datë 11.05.2021, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Gramoz Levanaj, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 365, datë 14.04.2021.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin G të Aneksit të Kushtetutës, në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 365, datë 14.04.2021, që i përket subjektit të rivlerësimit Gramoz Levanaj.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.