Morën ryshfet për të operuar 17-vjeçarin e plagosur në masakrën e Velipojës, lihen në burg mjekët
Gjykata e Shkodrës vendosi të lërë në burg dy mjekët e spitalit të Traumës në Tiranë, Ervin Sulaj dhe Serdi Memini të akuzuar se morën para për trajtimin e 17 vjeçarit Elmidin Dyli, i mbetur të plagosur në përplasjen me armë në Velipojë, ku katër persona humbën jetën.
Në seancën për rivlerësimin e masës së sigurisë u zbulua se në pranga është vënë edhe infermierja nga Shkodra, Diellë Macaj e cila po ashtu mbeti në qeli.
Sipas dosjes hetimore, kjo e fundit është përgjuar në një bisedë telefonike me nënën e 17 vjeçarit, duke i thënë se do t’i çojnë dhuratë 500 mijë lekë të vjetra doktorit por pa përmendur emrin se cilit prej tyre.
Infermierja Macaj sipas transkriptit e ka mbështetur në atë bisedë duke i thënë se “është mirë t’ia dërgosh dhuratën”.
Kaq ka mjaftuar që policia e kishte familjen Dyli nën përgjim për përplasjen me armë, të kërkojë arrestimin e dy mjekëve të Traumës dhe infermieren e Shkodrës për veprat penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Mjeku Ervin Sulaj, I cili ishte në sallën mohoi akuzën për marrje rryshfeti, duke deklaruar se ai dhe kolegu i tij janë marrë vetëm me operacionin e Elmidin Dylit.
Ndërsa masa për mjekun kirurg Serdi Memini u zhvillua në mungesë, pasi ai ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës në Tiranë për probleme shëndetësore.
Në pranga u vu edhe, Fatbardh Dyli babai i 17 vjecçarit hetimi ndaj të cilit do të vazhdojë në gjendje të lirë me kërkesë të Prokurorisë .
Ai dyshohet se u dha mjekëve 377 mijë lekë dhe 55 euro, të cilat më pas janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Ndërkohë gjykata e Shkodrës rrëzoi kërkesën e prokurorisë së Shkodër që dosja ti kalojë SPAK për hetim të mëtejshme.

