Kanali që “mbyti” bashkinë Lushnje, përfundoi në komisionin e ankesave, u kërkua ndjekje penale
Një nga tenderat e fituar nga kompania Euroalb sh.p.k në Lushnje është dhe pastrimi i kanalit në fshatin Bishqem. Bashkia ka skualifikuar subjektet që dhanë vlerën më të ulët, teksa prokurimi u ankimua edhe me kërkesën për ndjekje penale.
Një prej kontratave që ka fituar në Lushnje kompania Euroalb sh.p.k, me administrator Bujar Muratin, tashmë i arrestuar, është tenderi për ‘Rehabilitimin e kanalit ujitës në fshatin Bishqethem dhe Bitaj. Vlera totale shkon në 23.2 milionë lekë.
Procedura ka kaluar në një kalvar ngjarjesh. E hapur në korrik të vitit 2020 fituesi është shpallur në tetor të këtij viti.
Në fakt për koincidencë apo jo në dokumentet e dorëzuara në komisionin e ankesave është dhe emri i kompanisë Loti me administratorin tashmë të arrestuar Ibrahim Lami.
Në garë kanë marrë pjesë dy kompani me ofertë më të ulët se Euroalb sh.p.k, por ato janë skualifikuar. Vendimi ka bërë që kompania Avdyli dhe Bahas sh.p.k të dorëzojnë ankimim duke shprehur shqetësimin për një sërë situatash
Absurditeti i Komisionit të Vlerësimit të ofertave arrin kulmin kur skualifikon shoqërinë "Avduli" sh.p.k për Certifikatat e Transportit të kamionëve me pretendimin se certifikata e transportit është për llogari të vet ndërkohë që shoqërinë EURO-ALB shpk nuk e skualifikon për kamionin me targe AA364 AF e cila është certifikate për transport mallrash për llogari të vet lëshuar në emër të shoqërisë loti sh.p.k.
Ankimuesi ngre pikëpyetje a është kjo një shkelje administrative dhe penale, dhe a duhet barazi në garë. Përplasja ka ardhur për kamionët e dhënë me qira, por dhe KPP ka vendosur të lërë në fuqi skualifikimin e dy kompanive duke lënë fitues Euroalb sh.p.k.




