Mushkonjat "pickojnë" Tiranën, Bashkia jep dy tendera, qytetarët kërkojnë ndihmë te operatorët privatë

Bashkia e Tiranë ka shpenzuar mbi 35 milionë lekë për dezinsektimin e qytetit, por pavarësisht fondit, banorët shprehen se nuk kanë marrë shërbim. Madje telefonatat drejt kompanive private rezultojnë të jenë të shtuara. Sipas Open Data, në dy tenderat e zhvilluara për këtë qëllim ka pasur mungesë konkurrence.

Për këtë vit Bashkia e Tiranës ka dhënë dy tendera për dezinsektimin e qytetit.

Vlera e tyre kap vlerën e 35 199 200 lekëve, ndërkohë që të dy tenderat janë me flamur të kuq.

Kjo pasi në një prej tyre janë skualifikuar konkurrentët, ndërsa në tjetrin ka pasur vetëm një pjesëmarrës.

Te operatorët e këtij sektori çdo ditë qytetarët telefonojnë për ndërhyrje.

"Në Tiranë nuk kemi informacion nëse ka nisur apo jo procesi i dezinsektimit por në lidhje me mushkonjat kërkesat janë të shumta për problemet e vendodhjes së tyre të përhapura në gjithë Tiranën."

Lapraka, Don Bosko dhe Liqeni i Thatë janë zonat që më së shumti kanë probleme.

"Në Tiranë të gjithë zonat kanë probleme me mushkonjat. Kemi zonën e Freskut, Farkën, Mulletin.Të gjitha vendet që kanë ndonjë burim lagështie."

Procesi i cili duhet të nisë në muajin mars, duhet që në fokus të ketë bodrumet e pallateve dhe zonat me lagështi.

"Familjarëve në apartament pothuajse jemi të pamundur për t'ju shërbyer për shkak se burimi mund të jetë lagështia e një bodrumi të pallatit apo një kanali që mund të jetë aty në vendodhje. Duke qenë problem komunitar. Ndërhyrja është më e madhe sesa e një familje."

Veç mushkonjave, shqetësuese mbeten edhe insektet e tjera apo brejtësat që shtohen kryesisht në vendet me mbetje urbane.