Kallëzuan Ramën dhe Veliaj para 13 muajsh për shembjen e Teatrit, PD i kërkon SPAK informacion për ecurinë e hetimeve

13 muaj pasi kallëzuan në SPAK Erion Veliaj dhe Edi Ramën për shembej e Teatrit Kombëtar, PD-ja kërkon informacion për ecurinë e hetimeve. Sekretari për çështjet ligjore Çlirim Gjata dhe deputetja e zgjedhur Flutura Açka në dyert e Prokurorisë Speciale kanë theksuar se Rama dhe Veliaj kryen 9 vepra penale për interesa korruptive.

"Sapo kemi dorëzuar në SPAK kërkesë për informacion. Partia Demokratike ka bërë një kallëzim penal në SPAK përsa i përket shembjes së Teatrit Kombëtar, kanë kaluar 13 muaj dhe nuk kemi asnjë informacion se çfarë është bërë më këtë çështje. Kërkojmë nga SPAK-u se çfarë ka bërë me kallëzimin tonë, ku janë hetimet," tha Gjata.

Demokratët thanë se pas vendimit të GJK SPAK i ka duart e lira.

"Kam përshtypjen që me këto deklarata SPAK-u duhet të mbajë shënim. Ndoshta këto kanë prapavijën e një forme lufte, po them një llof fushate shtrigash kundër njerëzve të cilët duan që më në fund ligji të bëjë punën e tij," tha Açka.

Gjata dhe Açka inkurajuan SPAK-un në luftën kundër korrupsionit, por kjo luftë thanë ata po bëhet me pikatore dhe shumë e vonuar.