Bilanc "lufte", në 5 muajt e parë janë shënuar 547 aksidente dhe 90 viktima
Numri i aksidenteve rrugore në qarkun e Lezhës ka marrë përmasa të frikshme. Sipas të dhënave zyrtare, në 5 mujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 47 aksidente me 16 viktima, dhe 51 të plagosur në këtë qark.
Aksi më problematik mbetet nga Mamurrasi në drejtim të Shkodrës.
Edhe në jug situata mbetet alarmante. Pak ditë pas aksidentit tragjik në aksin Fier-Vlorë, ku 4 anëtarët e familjes Gushi u shuan, Bashkia dhe Policia kanë menduar për marrjen e masave.
Në disa akse kryesore të Vlorës janë vendosur kamera të sigurisë.
Qytetarët shprehen të pasigurt në rrugët e qytetit bregdetar.
"Jo në asnjë mënyrë. Në lagjet ku banojmë ne janë copë-copë, por edhe rrugët janë, edhe njerëzit të papërgjegjshëm prandaj," thotë qytetarja.
"Duhet të ketë semafor," thotë qytetari.
"Kanë të meta për shërbimin e personave që janë invalidë," thotë qytetari.
Ne vendin tonë vetëm në 5 muajt e parë të viti janë shkaktuar gjithsej 547 aksidente me 624 të plagosur dhe 90 viktima.
Sipas një raporti të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Komitetit të Transportit në Komisionin Europian Shqipëria u rendit në vitin 2020 e treta në Ballkanin perëndimor sa i përket sigurisë së rrugëve, me një indeks prej 63 viktimash për 1 milionë banorë, duke lënë pas Bosnjën, Serbinë dhe Malin e Zi, ndërsa Kosova u rendit si vendi me rrugët më të sigurta në këtë rajon me 43 vdekje për 1 milionë banorë.
Sipas të njëjtit Raport në të gjithë botën vdesin rreth 1.3 milionë njerëz në aksidentet rrugore.
