Operacioni i SPAK në Lushnje/ Hetimi nisi në korrik të 2020, gazetari tregon kush e kallëzoi kryebashkiakun Tushe
I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, gazetari Elton Qyno, ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin e Kryebashkiakut të Lushnjes Fatos Tushe, dhe 10 persona të tjerë.
Qyno bën me dije se hetimi në lidhje me çështjen në fjalë ka nisur që prej korrikut të vitit 2020, dhe sipas tij, kallëzimin në SPAK e kanë bërë subjektet private “ Avdyli “ shpk dhe “ Bahas” shpk, me pretendimin që Kryetari i Bashkisë dhe anëtarët e komisionit në Lushnje ishin të korruptuar.
“Në fakt është një hetim që është nisur që prej muajit korrik të vitit 2020 dhe padyshim që është finalizuar ditën e sotme. Është një hetim që ka zgjatur më shumë se një vit. Iniciatorët e hetimit kanë qenë dy subjekte private që ushtrojnë aktivitetin tregtar në Lushnje por edhe në të gjithë Shqipërinë. Subjektet Avdyli dhe Bahas, kanë raportuar për një kallëzim penal në SPAK me qëllim se ata kishin humbur tenderin e pastrimit, në zonën e Lushnjes me pretendimin se Kryetari i Bashkisë dhe anëtarët e komisionit ishin të korruptuar.
SPAK e ka regjistruar precedimin penal gati një ose ditë pas përfundimit të procedurës, dhe çështja ka vijuar për gati një vit. Të gjithë personat e përfshirë në këtë histori janë të përfshirë në shkelje ligji për sa I përket shpërdorimit të detyrës, shkeljes së pabarazisë në tendera por edhe falsifikimin e dokumenteve. Një pjesë e këtyre akuzave është aty që të provohet se behët fjalë për falsifikim të dokumenteve të kamionëve, dhe mjeteve të tjera që kompania fituese e tenderit, ka arritur që të falsifikojë disa dokumente të kamionëve por edhe skavatorëve.
Sipas Qynos, Tushe ishte iniciatori i tenderave, ndërkohë që anëtarët e komisionit kanë qenë ata që vlerësonin ofertat dhe që kanë manovruar të gjithë situatën që kompania Euroalb, të fitonte tenderin me çmimin 232 milion lekë.
"Në këto kushte sipas pretendimeve edhe të Prokurorisë edhe të kallëzuesve, është kryer një pabarazi për sa i përket dokumentacionit që është paraqitur në tender. Tushe është iniciatori i tenderave, është ai që hap tenderin dhe ai që e mbyll tenderin. Ndërkohë anëtarët e komisionit kanë qenë ata që vlerësonin ofertat dhe kanë qenë ata që kanë manovruar të gjithë situatën që kompania Euroalb, të fitonte tenderin prej 232 milion lekësh të vjetra.
Kjo shifër ka qenë limiti i tenderit, ndërkohë kompania fituese ka dhënë një shumë prej 26 milion lekësh dhe ka fituar. Ndërkohë pretendetët kanë pretenduar që ata kanë dhënë një shifër më të ulët, e ndërkohë nga ana tjetër komisioni i vlerësimit të ofertave i ka dhënë tenderin një kompanie me ofertë më të lartë siç ishte EuroAlb."
Më tej thotë se edhe pse situata është mbajtur në hetim për një kohë të gjatë, nuk është arritur që të kapet asnjë provë që Tushe dhe anëtarët e komisionit kanë marrë para për tenderin.
"E gjithë situata është mbajtur nën hetim me shpresën se mos kapin ndonjë provë për veprime korruptive, por që nuk është arritur që të kapet qoftë edhe një episod ku palët e përfshira në këtë konflikt të jepnin para qoftë te Kryebashkiaku Tushe apo te anëtarët e komisionit.
Faktikisht kompania EuroAlb ka arritur që të fitojë tenderin, momentalisht vijon të jetë në prokurim të plotë pasi ka filluar pastrimin e kanaleve ujitëse në zonën dhe fshatrat e Lushnjes, dhe që padyshim dhe vetë Bashkia e Lushnjes kishte filluar që ta publikonte këtë shërbim. Deri më tani nuk është arritur që të faktohet akuza e korrupsionit në këtë çështje.
Hetimi për këtë akuzë është pushuar, ndërkohë që ka vijuar hetimi dhe që është ngritur, hetimin dhe akuza për 11 persona, për shpërdorim detyre, shkeljes së detyrës dhe falsifikimin e dokumenteve. Procedura e kontrollit të banesës është një procedurë që lëshohet paralel me urdhrin e arrestit."
Më tej ai shton se autoritetet kanë lëshuar dhe një autorizim për kontroll në zyrën e hipotekës në Lushnje, teksa shton se çështja është parë edhe më gjerë dhe jo vetëm tek tenderi i kanalve kulluese. Gazetari thotë në komisariat, janë shoqëruar edhe nëna dhe vëllai i Tushes, por më pas janë lënë të lirë pas dëshmive.
"Fillimisht u raportua se kishim të bënim me një rast që kishte probleme për sa i përket pronave të paligjshme në bregdet, por që në fakt autoritetet kanë lëshuar dhe një autorizim për kontroll në zyrën e hipotekës në Lushnje.
Çështja është parë më e gjerë dhe jo vetëm tek tenderi i pastrimit të kanaleve ujitëse. Është shoqëruar edhe nëna e Kryebashkiakut, dhe vëllai i Tushes, të cilët janë lënë më pas të lirë. Në fakt sa herë që ka dalje publike nga prokurorët e SPAK por edhe nga Kraja, gjithmonë lëshohet një paralajmërim për të treguar se do të ketë arrestime të tjera. Ka ardhur dita që SPAK të ngrejë stekën dhe të godasë nivelet e larta duke filluar nga kryetar Bashkie, zv.ministrat, tek Ministrat por edhe pse jo tek Presidenti dhe Kryeministrat."
SPAK dhe Policia e Shtetit kanë zbarkuar ditën e sotme në bashkisë Lushnje, ku kanë arrestuar 10 persona, ku është shoqëruar edhe kryebashkiaku i këtij qyteti, Fatos Tushe.
Emrat e zyrtarëve të arrestuar janë Flamur Peqini, Xhemal Hasko, Blerta Turuku, Ani Simoni, Andri Mushaj, Margarita Gjermeni, Bujar Murati, Ibrahim Lami dhe Gazment Çela.
Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti për online Anila Kolgjini.


