Etëhem Haxhiademi në fokusin e studiuesve: Veprat e tij sollën dramaturgjinë shqiptare larg klisheve të kohës

Veprat e dramaturgut EtëhemHaxhiademi u diskutuan nga studiuesit për rëndësinë e tyre në letrat shqiptare. Ata shprehen se shkrimet e tij janë aktuale por edhe flasin me shumë kujdes për mënyrën e jetesës së shqiptarëve të asaj kohe. Dramaturgjia e tij ishte e para që nuk  pranoi të bëhej pjesë e klisheve të kohës për këtë gjini.

Në vëmendje të studiuesve të letërsisë shqiptare këtë të premte ishin veprat e dramaturgut Etëhem Haxhiademi.

Në konferencën shkencore të mbajtur në Akademinë e Shkencave, në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë treguan rëndësinë e veprave të Haxhiademit.

Të realizuara në mesin e viteve '20 ato synojnë të krijojnë një filozofi për gjininë e dramës.

Dramaturgu solli një gjini që mungonte në letrat shqiptare.

Studiuesit thonë se pavarësisht kohës, ai arriti ti largohej klishesë së kësaj gjinie.

"U përpoqa të shpjegoj sesi Etëhem Haxhiademi ia doli ti shmanget klishesë tradicionale të dramës".

Ekspertët e letrave thonë se veprat e Etëhem Haxhiademit sillnin përditshmërinë e shqiptarëve të asaj kohe, por ato janë aktuale edhe sot.

"Nuk jam i mendimit që është një vepër e kaluar, është një vepër klasiciste, neoklasiciste, i ka kaluar koha e kështu me radhë, është një estetikë që është po kaq moderne edhe në kohët e reja, edhe në periudhën e shekullit XX."

U zgjodh ky vit të mbahej konferenca shkencore për Haxhiademin pasi u bë i mundur botimi i të gjitha veprave të tij.

 Ai është autor i 9 tragjedive në stil klasicist.

Etëhem Haxhiademi gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte pozicionuar në krah të Ballit Kombëtar, ndaj në përfundim të luftës ai u arrestua dhe u dënua me vdekje, por me ndërhyrjen e Aleksandër Xhuvanit iu fal jeta.

Megjithatë ai mbeti në burg, ku vdiq disa muaj para se të përfundonte dënimin.