Meta takon kryeministrin e Hungarisë: Mirënjohje për mbështetjen domethënëse për çeljen e negociatave me BE

Në kuadër të vizitës zyrtare në Hungari, Presidenti i Republikës, Ilir Meta u prit në një takim nga Kryeministri Viktor Orbán.

Presidenti Meta me anë të një postimi në Facebook ka treguar detaje nga takimi.

Presidenti shprehet se e falenderoi për mbështetjen domethënëse dhe pa rezerva, që i ka dhënë Shqipërisë, për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Postimi i plotë:

"Një takim i frytshëm me një mik të veçantë, Kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán.

E falenderova me mirënjohje për mbështetjen domethënëse dhe pa rezerva, që i ka dhënë Shqipërisë, për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Vlerësova angazhimin e Qeverisë së Tij për të nxitur dhe thelluar më tej marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis dy vendeve tona, si dhe theksova vullnetin e Shqipërisë për t’i shndërruar në të njëjtin nivel të shkëlqyer, siç janë ato politike.

I lumtur, që vitin e ardhshëm do të festojmë 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me rezultate edhe më domethënëse dhe të prekshme për qytetarët tanë," shkruan Presidenti.