"Mos prisni që Kushtetuesja të fusë në burg Veliaj për Teatrin!" Manjani: Gjykata po na kthen në normalitet


Brenda pak ditësh, Kushtetuesja i ka rrëzuar tre vendime mazhorancës, përkatësisht shfuqizimin e nenit që i shpërndan mandatet e deputetëve sipas herësit, bazën ligjore të miratuar nga Parlamenti dhe qeveria për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar nga Bashkia e Tiranës dhe së fundmi edhe përgjimin nga Policia pa lejen e Prokurorisë.

Juristi dhe ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, në një intervistë për Rtv  Ora me gazetaren Beti Njuma, thotë se Kushetuesja po rikthen rendin kushtetues që ishte përmbysur.

Ai sqaron se pritshmëritë e shumë prej qytetarëve që kjo gjykatë të fusë zyrtarë në burg është e gabuar pasi nuk është ky misioni i saj.

Ylli Manjani: Me të tre këto vendime Gjykata Kushtetuese po jep një mesazh që qeverisja pa gjykata ka shkuar në ekstrem. Kishim kohë që e kishim thënë këtë gjë por duhej një provë dhe kjo është prova.

Brenda trupës së Kushtetueses është gjetur balanca e arsyeshme për të rivendosur apo rikthyer rendin kushtetues që ishte përmbysur, kishte dalë jashtë si astar xhepi. Policia, qeveria, kryeministri, ca vende bosh, dilte ndonjë ministër dhe nuk kishte asgjë tjetër. Kjo ishte Shqipëria e 3-4 viteve të fundit dhe me këto vendime Gjykata Kushtetuese po na kthen në normalitet, në rendin kushtetues.

Të tre këto vendime kanë rëndësinë e tyre, duhet pritur që të zbardhen dhe të shohim se çfarë interpretimesh kanë. Ka shumë njerëz që presin që Kushtetuesja të futë në burg njerëz, nuk është ky misioni i saj. Gjykata Kushtetuese nuk është as drejtori policie, as SPAK, as prokurori, as ndërmarrje ndërtimi, as KRT, as qeveria, as parlamenti.

Kushtetuesja është një mjedis ligjor i nivelit të lartë ku gjykohet kushtetutshmëria e ligjeve, e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve shtetërore, mundësisht ndërmjet pushteteve. Ky është qëllimi i Kushteueses, nuk është qëllimi i saj të fusë në burg  Erion Veliajn.

Që kur vendimi u bë publik, nga ana e kryetarit të bashkisë Erion Veliaj ka pasur një fushatë dezinformimi.

Por Manjani thotë se Veliaj e lexon vendimin e Kushtetueses si gangster.

Ylli Manjani: Nëse vendimet e Kushtetueses lexohen si gangster nuk ka çfarë të bëjë më Kushtetuesja, nuk ka detyrë të izolojë gangsterët që janë në pushtet vendor apo qëndror. Është lexim gangster ajo që bën Kryebashkiaku.

Për çështjen e Teatrit ndaj depozituar një sërë padish ndaj kryebashkiakut Veliaj.

Juristi thotë se një hetim i plotë penal për shembjen e godinës është i domosdoshëm.

Ylli Manjani: Ka disa padi, një hetim  penal i plotë për këtë çështje i domosdoshëm kushdoqoftë fajtori. Natën që është shembur teatri nuk ka pasur një leje shembjeje. Buldozeristit nuk i ka thënë dikush kjo është leja dhe ndërhyni.

Ka ndërhyrë RENEA për të rrafshuar vendin dhe askush nuk ka parë letra dhe letrat nuk merren në mes të natës. Po të kishte një leje duhet të na kishte thënë kryetari i Bashkisë mbi ç'bazë e mori, mbi ç'arsyetim e mori. Faktin që projektin e ka miratuar tani si e kori lejen për shembjen ai, qartësisht është e paligjshme.

Të gjitha këto janë pjesë e një hetimi penal. Detyra e Kushtetueses është kryer me sukses me aq sa ka vendosur dhe ka thënë qartësisht që ligji Fusha është antikushteues, ligji me porosi, ligji me telefon.U bë parlamenti si komision tenderash, për faqe të zezë.

Kushtetuesja ka vendosur rend, ka thënë nuk mund të ketë në një republikë parlamentare dhe demokratike ligje me porosi, ligje me emra. Ky është një vendim shumë i madh për Shqipërinë. Dikush do të mbajë përgjegjësi. Përgjegjësia është penale, civile, administrative dhe politike.