"S'plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë", Komisioneri Publik ankimon vendimin për Elizabeta Imeraj

Komisioneri Publik ankimon vendimin e  Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për drejtuesen e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Elizabeta Imeraj.

Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin nr. 363, datë 1.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në vlerësim edhe të rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), konstaton se vendimi është i cënueshëm në tërësinë e tij dhe se subjekti i rivlerësimit, Elizabeta Imeraj, nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë.

Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë publike dhe, në përfundim të gjykimit, të ndryshojë vendimin nr.363, datë 1.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj.

Pas konfirmimit në detyrë të prokurores Imeraj nga KPK, ambasadorët e SHBA dhe të BE në Shqipëri reaguan në mbështetje të ankimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për vettingun e prokurores Elisabeta Imeraj.

Yuri Kim kritikoi mediat për heshtjen lidhur me këtë rast, ndërsa kërkon që KPA ta shqyrtojë çështjen me pavarësi e integritet.

Po kështu ambasadori Luigi Soreca deklaroi se zyra e BE-së mbështet plotësisht apelin e ONM-së kundër vendimit të KPK që konfirmoi në detyrë prokuroren.