Prokurori i Vlorës në vetting, KPK konstaton probleme, vendimi me 7 korrik
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka gjetur probleme me kriteret e profesionalizmit dhe pastërtisë së figurës gjatë kontrollit të kryer ndaj prokurorit të Vlorës, Saimir Smaka, i cili e ushtron profesionin prej 7 vitesh.
Sipas KPK-së, bazuar dhe në verifikimet e Inspektoriatit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, prokurori Smaka dyshohet se ka kryer deklarim të pasaktë ndërsa ndaj tij ka indicie për korrupsion pasiv.
Në bazë të analizës financiare, sipas KPK subjekti ka deklarime kontradiktore të pasurisë dhe mungesë burimesh financiare me një bilanc negativ me vlerën e 127 mijë lekëve ku përfshihen blerje automjetesh dhe depozitim cash.
Diskutime të shumta mes prokurorit dhe trupës gjykuese ngjalli dhe një çështje e gjykuar në 2017 ndaj dy personave për veprën penale trafikim narkotikësh për të cilën Smaka ka ndryshuar cilësimin e veprës për njërin nga të pandehurit, i cili është liruar më pas me detyrim paraqitje.
Këtë ndryshim ai e argumentoi me faktin se sasia e heroinës për të cilën dy shtetasit ishin arrestuar ishte në limitin e sasisë së kufizuar nga ligji dhe lehtësimi i pozitës penale erdhin për shkak se midis dy personave nuk ka patur bashkëpunim por KPK e hodhi poshtë këtë argument me faktin se përgjimet tregonin ndërveprimin e dy të pandehurve në lidhje me lëndën narkotike.
Pas pyetjeve të komisionerëve, prokurori pranoi se ka takuar prindërit e të pandehurve në zyrën e tij gjatë kohës që po hetonte çështje.
Ai tha se nuk kishte pasur palë të tretë dhe se nuk ishte mbajtur procesverbal për takimin.
Trupa gjykuese tha se prokurorit i ka kaluar barra e provës për dy kriteret por nuk ka paraqitur asnjë shpjegim me shkrim.
Smaka kërkoi konfirmimin në detyrë ndërsa vendimi final pritet të jepet me 7 korrik.
