Shpërthejnë ujërat e zeza në "Fresk", banorët thirrje Veliajt: Merri seriozisht punët
Shpërthimi i ujërave të zeza në sipërfaqen e rrugëve të zonës së "Freskut" është kthyer në burim infeksioni për banorët të cilët kalojnë këtu.
Në zonën e "Freskut" është krijuar një situatë kaotike. Përveç plasjes së ujërave të zeza, tashmë kanë shpërthyer edhe ujërat e bardha.
Rruga është mbuluar nga këto ujëra, ndërsa presoni i daljes nga tubat ka krijuar gropa të ngjashme me ato septiket.
Më të vështirë kalimin e kanë këmbësorët.
Ankesat e tyre i kanë drejtuar bashkisë, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë.
"Kam folur 100 herë me këtë të ujësjellësit, asnjë gjë s'kanë bërë. Hap kanalet, del uji, asgjë s'kanë bërë. Rrugët janë 'ibret', faqja e zezë na rroftë dhe ne pensionistëve që na marrin taksa," thotë banorja e zonës.
"E kanë rregulluar dhe është prishur," thotë banori.
"Paguajmë tatimet, japim gjithçka që na kërkojnë këta shikoje, sikur mos ketë shtet," thotë banorja.
"Duhet të kenë pak kujdes se këtu ja kanë varur fare ata. Ai meqë mbaruan votat ka hapur shumë punë, por edhe këtu të mos na harrojë ne. Mos e lerë kështu se është turp të jetë lagjja e Tiranës këtu. Ne kemi një gjë që lëvdohemi shumë, bëjmë kështu e bëjmë ashtu. Rregullo kanalet se nuk shkojmë dot nga era. Rregullo këto, pastaj bëj të mëdhatë," thotë banori.
Para zgjedhjeve të 25 prillit bashkia e Tiranës, vendosi të instalojë tubat e ujësjellës kanalizimeve dhe 4 muaj më vonë gjendja nuk është ajo që u premtua, ndaj dhe thirrja e banorëve është marrja e masave të menjëhershme pasi e konsiderojnë alarmante situatën.
