Shkarkohet nga detyra Kreshnik Omari, gjyqtari i Tiranës që vinte me biçikletë në KPK
Shkarkohet nga detyra Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Kreshnik Omari. Vendimi është dhënë ditën e sotme në KPK, ku Omari ka qenë i pranishëm.
Omari u përball të martën më 29 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK ku gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime vetëm për gjetjet për kriterin e pasurisë, për të cilin ishte përmbyllur hetimi administrativ.
Procesi i Vettingut për Omarin u krye nga trupi gjykues i KPK i kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Valbona Shanxhaktarin dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.
Kreshnik Omari e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1997 dhe punon për më shumë se dy dekada në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Ajo që u ve si detaj ishte se gjyqtari Omari mbërriti dhe u largua me biçikletë nga ambientet ku u zhvillua seanca dëgjimore.
Ai e vlerësoi Komisionin për procesin e rivlerësimit të kryer ndaj tij dhe kërkoi që në analizën financiare të reflektoheshin provat dhe shpjegimet që kishte dorëzuar për të vërtetuar burimet e krijimit të pasurive.
Hetimi administrativ i Komisionit u përqendrua në një depozitë me vlerë 135 mijë euro të çelur nga gjyqtari Omari si dhe transaksionet në prona të paluajtshme të kryera nga prindërit e tij, për të cilat u ngritën dyshime se mund të jenë pasuri të fshehura të subjektit të rivlerësimit.
Për çeljen e depozitës në shumën 135 mijë euro në vitin 2015, Omari ka deklaruar si burim krijimi të ardhurat nga emigracioni në Itali gjatë periudhës 1991-1995; të ardhura nga puna e tij si avokat e gjyqtar, si dhe nga puna e ish-bashkëshortes si avokate.


