Tiranë, kishte përshtatur tabachinon për shitje kokaine, prangoset 40-vjeçari
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Alliasi”, pas një hetimi 5-mujor.
Në përfundim të këtij operacioni u arrestua 40-vjeçari, Kreshnik Halilaj, i cili akuzohet për shtije të drogërave të forta.
Po ashtu, këtij shtetasi i janë sekuestruar lëndë narkotike kokainë, një armë zjarri pistoletë, shumat 42.000 lekë të rinj dhe 8730 euro, një automjet, një motomjet dhe 7 aparate celularë.
''Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë zhvilluan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “ALLIASI”, në kuadër të të cilit bënë ekzekutimin e masës së sigurisë për shtetasin K. H., 40 vjeç, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” në mungesë.
Arrestimi i tij u bë pasi gjatë një hetimi 5-mujor, shërbimet e Policisë bënë të mundur dokumentimin me prova ligjore të veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes të drogave të forta. Ky shtetas u kap në kushtet e flagrancës në zonën e Alliasit, në një tabachino pranë banesës së tij, ku shiste lëndë narkotike kokainë kundrejt 3500 lekë të rinj për dozë.'' - njofton policia.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
