Durrës, i shpërthen goma e kamionit duke e ndërruar, vdes 20-vjeçari

E nisi ditën duke punuar, si çdo ditë tjetër në dy viteve të fundit, por e marta e 6 korrikut rezultoi fatale për 20 vjeçarin Rafael Tafa.

I riu nga Burreli, që jetonte e punonte në zonën e Kënetës në Durrës, humbi jetën tragjikisht, pasi goma e këtij kamioni shpërtheu, duke e hedhur atë disa metra më tutje.

Rafaeli punonte në gomisterinë e lagjes 14 në Kënetë, e cila ndodhet rreth 6 kilometra nga qendra e qytetit.

Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 08:50.

Nuk është qartësuar shkaku i shpërthimit të gomës së automjetit të tonazhit të rëndë.

Sipas informacioneve jozyrtare nga mjekët mësohet se Rafael Tafa, ka ndërruar jetë rrugës për në Spital, ndërsa banorët e zonës që kanë qenë prezent në momentin e shpërthimit kanë hedhur akuza, duke thënë se ambulanca është vonuar.

"Ambulanca ka vonuar 40-45 minuta. Policia ka vonuar 15 minuta mos them më tepër. Ne ishim në kafe lart, nuk e pamë ne. Kemi dëgjuar zhurmën se ishte bërë mjegull. Kur kemi zbritur poshtë kemi parë çunin që ishte i përplasur pas hekurave," thotë banori.

20 vjeçari që mbeti viktimë gjatë incidentit në punë, ishte djalë i vetëm i familjes Tafa nga Burreli.

''Më datë 06.07.2021, rreth orës 08:50, në lagjen nr. 14/1,  Kënetë, në ambientet e një gomisterie, duke rregulluar një gomë të një kamioni e cila ka shpërthyer, është lënduar shtetasi Rafael Tafa, 20 vjeç, (punonjës), i cili si pasojë e plagëve të mara ka ndërruar jetë.'' - njofton policia.