“Shpirti”/ Vasili: Përgjimet tregojnë se trafikantët kanë lidhje me qeveritarë, paligjshmëria në karrigen e Kryeministrit

I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, Petrit Vasili, ka komentuar megaoperacionin “Shpirti”, ku në pranga kanë rënë 28 persona, mes tyre dhe Prokurori Makism Sota.

Ai është shprehur se operacioni është udhëhequr nga antimafia italiane, pasi sipas tij operacionet private nuk mund të bëhen nga policia e vendit tonë. Sipas tij kjo e fundit është e inkriminuar.

Më tej, ai thekson se dy nga të arrestuarit në kuadër të këtij operacioni, ishin denoncuar me fakte katër vite më parë nga ish-Kryeministri Sali Berisha.  

“Operacioni “Shpirti” që u udhëhoq nga antimafia italiane, dhe në momentet e fundit angazhoi një pjesë të vogël të policisë shqiptare, dhe ku në fjalën e tij prokurori italian , evidentoi si një problem pabesinë e institucioneve shtetërore. Pra ky operacion u udhëhoq nga antimafia italiane nga moment i parë deri në momentin e fundit.

Kjo është mjaft e qartë që asnjë operacion i pavarur nuk mund të zhvillohet me këtë polici që ne kemi, pasi inkriminimi i saj në kokën e saj është i qartë dhe i dukshëm. Të arrestuarit ishin njerëz me funksione kyç . Ka një pyetje publike, dy personat të caktuar në listë janë denoncuar me detaje, nga Sali Berisha 4 vjet më parë, në një shënim që ka bërë një “Facebook”.

Ai thotë se akuzat që janë bërë nga opozita në lidhje me fikjen e radarëve, janë mohuar, nga vetë Kryeministri Edi Rama dhe ministrat.

“Ne kemi pasur akuza shumë të forta që opozita ka ngritur në lidhje me çështjen e radarëve, të cilat janë mohuar publikisht, duke filluar nga Edi Rama, te ish-ministrja Kodheli, te Xhaçka, e deri te ministrat e brendshëm e të jashtëm. A doli që radarët fikeshin me qëllim, kundrejt pagesave në euro. Këta gënjejnë radhazi, me qëllim që trafiku i drogës të ketë jo vetëm rrugë, por autosdrada detare.

Në rast se do të kishte një polici të pavarur që nuk u shërben kriminelëve, por u shërben qytetarëve të vendit duhet të ishte ngritur në këmbë dhe nuk do priste përgjimet nga antimafia italiane, po mund të verifikonte më së miri se si funksionojnë dhe si fiken në mënyrë të çuditshme radarët. Dy shoqërues të Ministrit të Brendshëm trafikantë të drogës e dhjetëra të tjerë. Ndërkohë oficerë policie që e kanë denoncuar me fakte dhe emra i detyrojnë të jetojnë në azil. Këtu policinë e kanë zaptuar maskarenjtë e trafikut, ndërkohë ata që duan të luftojnë trafikun nuk kanë vend në polici e as në Shqipëri. Kjo është një polici politike dhe e inkriminuar në trafiqe dhe në kriminalitet. Nga përgjimet që shumë nga trafikantë, figurojnë të përzierë në lojën politike dhe shitblerjet dhe kërcënimet për votën."

Ai ka komentuar edhe rrëzimin e nenit nga Gjykata Kushtetuese për përgjimin e qytetarëve nga policia.  Ai thotë se veprimtari është e paligjshme antikushtetuese, teksa shton se paligjshmëria është ulur në karrigen e Kryeministrit

“Kjo veprimtari e  paligjshme antikushtetuese është tentuar që të bëhet në mënyrë të vazhdueshme me qëllimin e vetëm që nëpërmjet të përgjimit të paligjshëm të mbajnë nën presion qytetarë njerëz, zyrtarë, për t’i përdorur ata si duhet. Kam qenë një nga njerëzit që këto procedura të marrin fund njëherë e mirë. Këta njerëz  që qeverisin e kanë të pamundur që të qeverisin me transparencë. Transparenca dhe mosrespektimi i ligjit këta i tremb. Paligjshmëria është ulur në karrigen e Kryeministrit.”

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Anila Kolgjini