Rama dhe Kurti përplasen në Ohër për Min-Schengen-in

Ashtu sikurse pritej që pas fitores së Albin Kurtit, Kryeministri i Kosovës ka pasur një përplasje konceptuale me shefin e ekzekutivit shqiptar, Edi Rama, sa i përket nismës për të ashtuquajturin Mini-Schengen.

Në fjalimet e mbajtura gjatë forumit të Prespës, dy liderët nuk kanë qenë në sinkron me njëri-tjetrin. Rama e cilësoi projektin, një mundësi përafrimi me BE-në.

“Ka të bëjë me hapësirën ku katër liritë themelore të Europës gjejnë zbatim plotësisht. Pra liria e mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitaleve. Kjo nuk është një alternativë ndryshe nga integrimi europian. Kjo është t’u japim më shumë njerëzve tanë.”

Por nuk mendon kështu Albin Kurti, i cili tha se Kosova e refuzon “mini-schegenin e Novi Sadit” një thumb nga distanca për takimin e zhvilluar më tetor të 2018-ës me Ramës, Vucicit dhe Zaevit.

“Një prej këtyre ideve të gabuara, është edhe ideja e Novi Sadit për të ashtuquajturin Mini-Schegnen. Është një nismë që nuk mbart asnjë vizion për rajonin. Për këtë arsye, Kosova e refuzon me forcë dhe i bën thirrje të gjithëve që të veprojnë në përputhje me agjendën evropiane dhe marrëdhëniet transatlantike.”

Ndërkohë, nisma u mbështet nga kryeministrja serbe, Ana Bërnabic, si dhe Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Gjatë diskutimeve, palët u ndalën edhe për integrimin europian.

Në fjalën e tij, Rama tha se ka një humbje entuziazmi. Duke përdorur edhe njëherë figurën letrare të krahasimit, kryeministri theksoi se s’mund të motivohesh disa herë për një dasmë, kështu që do duhet të pritet deri sa nusja, në këtë rast BE-ja, të shfaqet dhe ceremonia të përmbyllet.