"Lufta" ndaj shezlongëve, sekuestrohen 1083 çadra në të gjithë vendin

Për të tretën ditë me radhë, në të gjithë bregdetin e Jonit dhe Adriatikut ka vijuar faza e dytë e operacionit “Bregdeti Ynë”.

5 persona janë proceduar penalisht, përkatësisht 1 në Fier dhe 4 në Durrës.

Në vijim të operacionit 1083 çadra çadra plazhi me 2316 shezlongë janë hequr nga vija bregdetare dhe janë sekuestruar.

Nga ana tjetër në Lezhë sipas bashkisë 90% e aplikimeve për parcela janë pranuar nga ministria dhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit, por ende nuk është bërë lidhja e kontratës me bashkinë.

"Kemi thuajse 100% realizimin e shpërndarjes në plazhin qendror të Shëngjinit, që është plazhi i qytetit. Gjithashtu kemi arritur deri në 40% të shpërndarjes në plazhin e Tales por në fakt dhe interesi i shfrytëzimit të plazhit aq është," tha Ermal Pacaj, nën kryetar i bashkisë Lezhë.

20% e hapësirës në Shëngjin dhe Tale do të jetë plazh publik, ndërsa bëhet e ditur se nuk do të ketë tolerime ndaj subjekteve që nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara në kontrate.

"Në Ranën e Hedhun është caktuar hapësira për plazhin publik, në zonën e hapësirës së qytetit është përcaktuar hapësira e plazhit publik," tha Pacaj.

Edhe pse ndodhemi në mes të sezonit turistik problemet me menaxhimin e vijës bregdetare vijojnë, ndërsa përplasjet mes bizneseve çuan në 4 viktima pak ditë më parë në Velipojë.