"Lëvizin çdo 1 orë", studentët e Durrësit ankohen për autobusët: Nuk kapim dot provimet dhe marrim taksi

Frekuencat e lëvizjes të autobusëve që të dërgojnë drejt Kampusit Universitar në zonën e Spitallës në Durrës nuk i përmbushin nevojat e studentëve.

Vetë ata shprehen se janë detyruar të marrin dhe taksi, pasi janë në sezon provimesh, e linjat urbane kanë vonesa të shumta.

"Tani që është sezoni i provimeve janë mbi 10 mijë studentë. Autobusët vijnë çdo 1 orë, kjo shkakton vonesa për provim. Duhet të marrim taksi ose mjet tjetër privat. Kjo ka kosto."

"Duhet të merremi dhe me stresin e transportit."

Pakënaqësi kanë edhe për kushtet higjenike si dhe mungesën e ajrit të kondicionuar, në kohën kur temperaturat janë tejet të larta.

"Në autobusë studentët ngjeshen si salçiçe, nuk ka kushte higjienike, kondicionerë ka por nuk i ndezin."

Kërkojnë nxjerrjen e aboneve për studentët.

"Linja e transportit nuk ka nxjhrrë me abone studenti që nga shtatori."

Prej kohësh studentët e universitetit “Aleksandër Moisiu” kanë shprehur shqetësimet e tyre për transportin urban e kërkojnë ndërmarrjen e masave ndaj kompanisë së transportit, e cila është në varësi të Bashkisë.