Hodhi bazat për Kosovën e pavarur, përkujtohet 31-vjetori i deklaratës së 2 korrikut

Janë bërë 31 vjet që nga dita kur 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës që atëherë e përfaqësonin atë me statusin e një krahine serbe, nënshkruan Deklaratën Kushtetuese të pavarësisë së Kosovës, e njohur si Deklarata e 2 Korrikut.

Parlamenti i Kosovës ka shënuar solemnisht 31-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese që vlerësohet se hodhi bazat për një shtet të pavarur.

Dokumenti i 2 korrikut 1990 u miratua atëkohë në rrethanat e shtetrrethimit policor dhe ushtarak serb, dhe 114 delegatë që e propozuan kërkuan një Kosovë të lirë nga ish-Federata Jugosllave që reflektonte vullnetin e shumicës së popullit.

Themelet e shtetit tonë qëndrojnë fuqishëm mbi vendimin e tyre, tha presidentja Vjosa Osmani.

 “Si përfaqësuese e uniteti të popullit, duke njohur dhe respektuar skajshmërish kontributin e delegatëve të atëhershëm, do të vazhdoj t’i bëjë thirrje gjithë secilit institucion të vendit, e secilit përfaqësues politik që veprimet politike t’i mbështes pikërisht në shembullin e dhënë nga këta delegatë, në shembullin e dhënë nga legjislatura e atëhershme e këtij Kuvendi, të cilët artikuluan qartë vullnetin e qytetarëve dhe ishin zë i tyre, por edhe e rivendosën orientimin tonë strategjik gjithnjë të bashkuar rreth kauzës së lirisë.”

Kryeparlamentari Glauk Konjufca e cilësoi një akt të guximshëm miratimin e Deklaratës së 31 viteve më parë, që sipas tij i parapriu shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

 “Këto fakte, të nderuar deputetë, zonja dhe zotërinj duhet të na e kujtojnë se sa e gjatë, sa e vështirë, sa e mundimshme ishte përpjekja jonë për liri, për pavarësi, dhe për sovranitet. Ishte një punë titanike e plot e plot brezave e mbushur me sakrifica të panumërta, gjatë të cilave një popull i tërë nuk kurseu asgjë për t’u çliruar. Lufta e drejtë çlirimtare e popullit tonë liridashës dhe rënia e dëshmorëve dhe martirëve ja dhënë vulën lirisë sonë, mbi të cilën nuk ka më kompromise të mëtutjeshme. Këto arritje janë pasuria jonë më e madhe që e kemi dhe që do të ua lëmë prapa fëmijëve tanë. Andaj duhet t’i ruajmë dhe mbrojmë këto arritje që i kemi bërë me çdo kusht.”

Në seancën solemne të së premtes foli edhe Iljaz Ramajli, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e vitit 1990.

 “Para 31 vitesh në këtë ditë të gjithë delegatë me kohë kishin ardhur për mbledhjen e Kuvendit e cila ishte caktuar rregullisht, por dyert e Kuvendit ishin mbyllur me urdhër të kryetarit të atëhershëm të Kuvendit, dhe të gjitha hapësirat e Kuvendit dhe organeve të tjera qeveritare në këtë ndërtesë ishin vendosur nën kontroll të plotë të njësive të policisë serbe e cila vepronte në kuadër të policisë federale të instaluar në Kosovë, në Kosovën e atyre ditëve të trazuara. Përkundër mbylljes së dyerve të Kuvendit, delegatët si e dini tanimë, duke qenë të vendosur për të çuar në vend vullnetin politik të popullit të Kosovës, para dyerve të ndërtesës së Kuvendit, nën qiellin e hapur e mbajtën mbledhjen e 2 Korrikut dhe shpallën deklaratën kushtetuese.”

Pas vendimit të 2 korrikut 1990, më 7 shtator të atij viti Kuvendi i Kaçanikut do të miratonte edhe Kushtetutën që e shpallte Kosovën republikë, "një shtet demokratik i kombit shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve të tjera dhe i pakicave kombëtare që jetojnë në Kosovë."

Hodhi bazat për Kosovën e pavarur, përkujtohet 31-vjetori i