Banorët e 5 fshatrave në Vlorë i zënë derën Bashkisë: 20 ditë pa ujë
Banorët e 5 fshatrave në Vlorë kanë protestuar të premten para Bashkisë për mungesën e ujit të pijshëm. Ata kanë shprehur shqetësimin se kanë rreth 20 ditë pa ujë, ndërsa i kanë bërë thirrje autoriteteve që të ndërhyjnë menjëherë.
Banorët e 5 fshatrave në Vlorë, kanë protestuar të premten para Bashkisë për mungesën e ujit të pijshëm.
Të ardhur nga fshatrat Panaja, Kërkovë, Bestrovë, Bunavi dhe Oshtimë banorët për të disatën herë kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për të çuar në shtëpitë e tyre ujin që mungon prej 20 ditesh.
"Nuk kemi pikën e ujit."
"10 ditë pa asnjë pikë ujë."
"30 vjet pa ujë që kur ka vdekur Enver Hoxha".
"Të mos lënë popullin pa ujë."
Pas disa minutave protestë, bashkia e Vlorës i ka thirrur në një takim ku banorët janë pritur nga drejtori i Ujësjellësit, Shkëlqim Leskaj dhe nënkryetari i bashkisë Vlorë, Shkëlqim Ramaj.
Autoritetet janë zotuar të zgjidhin problemin deri të martën e ardhshme, por banorët janë skeptikë pasi e kanë dëgjuar disa herë këtë premtim.
"Nuk kam shpresë, jemi regjur me këtë punë."
Nëse problemi nuk zgjidhet, ata thonë se do të përshkallëzojnë protestën.
"Po nuk na erdhi uji do të vijmë me kusi dhe kazanë te bashkia."
Disa prej fshatrave kanë 20 ditë pa ujë të pijshëm, e të tjerë deri në një muaj, ndaj ata thonë se ndërhyrja duhet e menjëhershme.

