Bashkia e Durrësit i njofton për zhvendosjen e tregut, shitësit e fruta-perimeve: Të shtyhet deri në shtator

Tregtarët e fruta-perimeve në Durrës protestuan kundër vendimit të Bashkisë, e cila u kërkon zhvendosjen në një ambient tjetër pas datës 5 korrik. Shitësit thonë se Bashkia duhet të shtyjnë vendimin të paktën deri në shtator, ndërsa hedhin akuza për se pas vendimit fshihen interesa korruptive.

Bashkia e Durrësit ka njoftuar tregtarët e fruta-perimeve për tu zhvendosur në një tjetër ambient pas datës 5 korrik.

Por, ky vendim është pritur me protesta ditën e enjte.

Tregtarët thonë se janë njoftuar vetëm 5 ditë para zhvendosjes, dhe kërkojnë të paktën qe kjo levizje të shtyhet deri në shtator për shkak të sezonit turistik dhe temperaturave te larta.

Njoftimi sipas tyre nuk përmbush asnjë kriter të një letre zyrtare.

Tregtarët hedhin akuza ndaj bashkisë Durrës për këtë vendimarrje.

Ndërkohë, pas protestës së tregtarëve kryetarja e komanduar e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, duke publikuar projektin, tha se nuk do të ketë shtyerje të afatit.

Në tregun e fruta-perimeve janë rreth 500 tregtarë që ushtrojnë aktivitetin e tyre.

Ata thonë se do të bëjnë rezistencë për këtë zhvendosje deri ne muajin shtator.