"Sherri" për Teatrin, Karabina: Detyrë institucionale të paraqitet në media takimi i Sorecës me kryetaren e GJK

Vendimi i KKT-së për të miratuar lejen e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar ka bërë që artistët dhe shoqëria civile të paraqiten sërish në Gjykatën Kushtetuese.

Një takim "i fshehtë" i ambasadorit Soreca me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese ka nxitur dyshime për aktivistët e Aleancës së Mbrojtjes së Teatrit.

Pedagogia Mirela Karabina, njëkohësisht aktiviste për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News, me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se kjo është një çështje madhore që ka të bëjë me demokracinë.

Sipas saj, Aleanca është njohur ditën e sotme me takimin që ka zhvilluar ambasadori Soreca me kryetaren e GJK dhe shprehet se të dyja institucionet kanë pasur përgjegjësinë për ta bërë publik takimin dhe detajet.

Karabina:" Ne prej 2 vitesh e gjysmë jemi munduar ta trajtojmë këtë çështje për të kuptuar që Teatri është një  çështje madhore dhe ka të bëjë me demokracinë. Ne jemi takuar edhe me zotin Soreca dhe e kemi informuar në lidhje me ligjin special. Zoti Soreca është drejtues i një institucioni tejet të rëndësishëm. Delegacioni Evropian e di shumë mirë çështjen e Teatrit Kombëtar. Sot jemi njohur me një takim që ka zhvilluar Soreca në ditën kur Gjykata Kushtetuese është mbledhur për të trajtuar ligjshmërinë apo jo-ligjshmërinë e shembjes së Teatrit. Të dy institucionet kanë detyrim institucional ta informojnë publikun mbi transparencën e takimit. Ka pasur një reagim të Delegacionit Evropian dhe është thënë që në takim nuk është diskutuar mbi Teatrin. Ne presim nga Gjykata Kushtetuese që të trajtojë çështjen e Teatrit dhe ndodh që bëhet një takim dhe nuk është pasqyruar në media. Lind dyshimi, nëse  nuk ka pasur takim për Teatrin Kombëtar shumë thjesht Gjykata Kushtetuese duhet ta bëjë këtë transparencë për publikun, që takimi ka qenë për çështje të tjera."

Karabina shprehet besimplotë se Gjykata do të marrë vendimin e duhur në favor të Teatrit.

Karabina: "Ne jemi duke pritur Gjykatën Kushtetuese dhe jemi besimplotë që do japë vendimin e duhur. Çështja është trajtuar nga juristët më të mirë. Bashkia Tiranë nuk ka qenë fare pronare e ndërtesës së Teatrit Kombëtar. Ne presim, dhe çdo lëvizje që mund të bëhet ne na jep të drejtën që të paragjykojmë. Por mos na lejoni të paragjykojmë dhe të dalim në përfundime të gabuara sepse është detyrim institucional të jenë transparentë."

Miratimi i buxhetit për Teatrin  përpara se Gjykata të marrë vendimin shihet nga Karabina si një presion nga ana e  qeverisë.

Karabina: "Është një presion kur kryeministri miraton një buxhet, ndërkohë që pritet të merret vendimi për çështjen. Ai e di shumë mirë që ka shkelje kushtetuese. Ne presim që Gjykata të mbajë qëndrimin ashtu siç i takon një institucioni të drejtësisë. Teatri Kombëtar do jetë karma që do shkatërrojë karrierat politike apo profesionale të shumë njerëzve."

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Xhuliana Zhuleku