Minishengeni Ballkanik/ Abazi: Pushtetin kryesor politik dhe ekonomik e ka Serbia, Rama po bën manovra
I ftuar në edicionin e Ora News, Boiken Abazi, kreu i Lëvizjes Vetëvendosjes në Shqipëri, ka komentuar Minishengenin Ballkanik.
Ai është shprehur se në këtë nismë , pushtetin kryesor politik dhe ekonomik e ka Serbia, dhe sipas tij kjo e fundit , ka një bilanc pozitiv tregtar dhe i shkakton deficit të gjithë vendeve të rajonit veçanërisht Kosovës dhe Shqipërisë.
Më tej ai ka hedhur ‘akuza’ ndaj Kryeministrit Edi Rama duke thënë se ky i fundit i cili ka në dorë edhe pushtetin ekonomik po bën manovra për të bërë një lloj konsolidimi të pushtetit të tij.
“Kemi të bëjmë me një politikë që nuk është në përputhje me interesat kombëtar. Pikënisja është problematika. Nëse nuk nisemi nga premise se Shqipëria dhe Kosova janë pjesë e të njëjtin komb , që çfarë është e dëmshme për Kosovën është e dëmshme edhe për Shqipërinë dhe anasjelltas, atëherë ne përfundojmë në momente që jo vetëm e përçajmë këtë lloj përpjekje për koordinim më të ngushtë midis Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe punojmë kundër vetes.
Pra në një moment të tillë ku ka ndryshuar skena botërore, nuk është më në pushtet një person si Grenell. Kemi administratën Biden, që po kërkon një lidhje më të fortë mes SHBA- BE. Nga ana tjetër në Kosovë, kemi një qeveri të re me një legjitimitet shumë të madh se ka fituar mbi 50%, e cila është vendosur në një pozicion shumë të mirë përballë kërkesave absurde të Serbisë. Serbia nuk ka hequr dorë nga synimet e saj. Ajo po ndryshon reformën në bazë të mundësive që ka. Dhe ekspansionin Serbia e bën jo vetëm përmes kërcënimit me ushtrinë e saj por edhe përmes një projekti për bindjen tonë të thellë antishqiptar siç është Minishengeni.
Në rastin e Minishengenit, pushtetin kryesor politik dhe ekonomik e ka Serbia, e cila ka një treg më të madh, ka një bilanc pozitiv tregtar dhe i shkakton deficit të gjithë vendeve të rajonit veçanërisht Kosovës dhe Shqipërisë. Hymë në një projekt si Minishengeni, pa Kosovën, duke e bërë të duket Vuçiç si një person normal dhe duke vendosur në rrezik ekonominë e Shqipërisë. Kemi të bëjmë me manovra të një kryeministri që nga njëra anë, përveç pushtetit politik ka në dorë edhe pushtetin ekonomik, duke rritur pabarazinë dhe varfërinë në Shqipëri, dhe nga ana tjetër sërish për pushte të vetë futet në marrëveshje rajonale, vetëm e vetëm për të bërë një lloj konsolidimi të pushtetit të vet edhe në kuptimin gjeopolitik me Serbinë pa Kosovë.
Serbia po bën një lojë me disa porta. Nga njëra anë pretendon se po vazhdon rrugën e saj drejt BE, nga ana tjetër ka bërë marrëveshje me unionin ekonomik euro-aziatik të themeluar nga Rusia. “
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Anila Kolgjini


