"Do monitorojmë me dronë inteligjentë tokën", Rama: Në 2025 do jemi përsëri ne që do japim llogari

Dronët super inteligjent duket se do të jenë zgjidhja e qeverisë për hallet e vendit.

Përveç se do të identifikojnë shkelësit në fusha të caktuara, ata do të përdoren edhe në bujqësi.

Kryeministri Rama njoftoi se përmes dronëve do të merret informacion për çdo pëllëmbë toke të punuar.

"Për të lehtësuar maksimalisht ndërveprimin e tmerrshëm me kadastrën duke pasur qartësi për çdo parcelë," tha Rama.

Sipas qeverisë rreth 20 mijë fermerë kanë mundur të përfitojnë deri më tani nga nafta pa akcizë.

"Ky fond i vënë në dispozicion nga qeveria ndryshe nga çfarë ka ndodhur herët e shkuara që është tentuar të bëhet e njëjta gjë shkon për fermerët," u shpreh kryeministri.

Pa nisur mandatin e tretë, Rama duket se po merr masa për mandatin e katërt. Ai premtoi se deri në vitin 2025 fondi i naftës pa akcizë do të rritet.

"Objektivi është që nëse sot ne kemi vënë në shërbim të fermerëve për naftën pa akcizë, pa taksë karboni, pa taksë qarkullimi 10 milion, në 2025 kemi shkruar në 50 milion. Dhe 2025 është përsëri një vit që jemi ne që do japim llogari për çfarë themi," tha Rama.

Pavarësisht mbështetjes që garantoi për bujqësinë Rama tha se suksesi i fermerëve varet nga vetë ata pasi nëse do të presin qeverinë do të dështojnë.

"Nëse fermerët nuk e tërheqin qeverinë nga mbrapa, pro presin që qeveria t'i tërheqë ata nuk ka sukses," tha Rama.

Kreu i qeverisë ngriti shqetësimin e rënies së interesit për disa programe studimore në Universitetin Bujqësor të Tiranës teksa njoftoi se po punohet për nisjen e bashkëpunimit me Universitetin Bujqësor të Vjenës.