Aksidentoi për vdekje familjen me katër anëtarë, arrestohet drejtuesi i "Audit"

Policia ka bërë arrestimin në flagrancë të drejtuesit të mjetit “Audi” që u përplas sot me mjetin "Toyota" duke shuar një familje me katër anëtarë.

"Arrestohet në flagrancë drejtuesi i mjetit që dyshohet se shkaktoi aksidentin në aksin rrugor Fier-Vlorë. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin I. M., 22 vjeç, banues në Tiranë" njoftoi policia.

22-vjeçari duke drejtuar automjetin tip “Audi”, në aksin rrugor Fier-Vlorë, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka goditur nga mbrapa automjetin tip “Toyota” me drejtues shtetasin Eduart Gushi., 44 vjeç.

Si pasojë ndërroi jetë 44-vjeçari, bashkëshortja e tij Silvana Gushi, 33 vjeç dhe dy vajzat e mitura A.  Gushi, 14 vjeç dhe E, Gushi, 9 vjeç.

Gjithashtu, si pasojë ka mbetur i dëmtuar vetë drejtuesi i mjetit “Audi” dhe dy pasagjerët, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprën penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.