Familja u shua në aksident, bashkia Patos: Do mbulojmë shpenzimet e ceremonisë mortore
Bashkia e Patosit ka shprehur ngushëllimet për humbjen e 4 jetëve nga një familje në aksidentin tragjik të mëngjesit të sotëm, 25 qershor në aksin Fier-Vlorë.
Si pasojë e aksidentit 4 anëtarët e familjes Gushi, 2 bashkëshortët dhe 2 vajzat e mitura humbën jetën tragjikisht.
Bashkia Patos përmes një postimi në Facebook shpreh keqardhjen për jetët e humbura dhe informon se shpenzimet e ceremonisë mortore do të mbulohen nga bashkia.
Mesazhi i plotë:
"I trishtë dhe i dhimbshëm lajmi për ndarjen tragjike nga jeta të 4 bashkëqytetarëve tanë. Me miqtë e familjarët e tyre sot është pikëlluar edhe i gjithë qyteti.
Bashkia Patos shpreh ngushëllimet më të sinqerta të afërmve të familjes Gushi që humbën jetën tragjikisht në një aksident në aksin Fier-Vlorë.
Përmes një mbledhjeje urgjente të Këshillit Bashkiak, Bashkia Patos vendosi të marrë përsipër mbulimin e shpenzimeve të ceremonisë mortore për këtë familje.
U prehshin në paqe. I qoftë dheu i lehtë!
#BashkiaPatos"
