Temperaturat përvëluese në Tiranë, qytetarët pyesin çfarë ka ndodhur me shatërvanet në sheshin "Skënderbej"
Temperaturave të nxehta në Tiranë u shtohet dhe stresi nga ndërtimi pa kriter dhe mungesa e hapësirave të gjelbra. Madje në këto ditë të nxehta, qytetarët i bëjnë thirrje bashkisë së Tiranës të hapë shatërvanët në sheshin "Skënderbej" të paktën për të shuar nxehtësinë që përcjellin pllakat.
Tre ditët e fundit vendi është përfshirë nga një valë e të nxehtit, ku temperatuat regjistruan shifra të larta.
Edhe këtë të premte termometri shkoi në 40 gradë.
Por pavarësisht temperaturave ekstreme, hapësirat publike në kryeqytet nuk u ofrojnë asnjë element freskimi.
Madje sheshi "Skënderbej"është kthyer në një ambient që reflekton edhe më shumë të nxehtin.
Në vendet, ku shatërvanët dikur të reklamuar si mundësi freskimi, nuk ka më gjurmë.
E vetmja mundësi për ti identifikuar janë disa të çara.
"Ku janë shatërvanet, pse nuk punojnë?"
"Ka pasur shatërvan, i kanë hequr, ku të freskohen qytetarët?'
Qytetarët ankohen se në sheshin "Skënderbej" kanë gjetur veç nxehtësisë së diellit edhe reflektimin e pllakave përvëluese.
"Bashkia nuk po lag as rrugët e bulevardit, i spërkati para zgjedhjeve dhe tani kanë rënë në qetësi. Tani në verë do lagur ditë për ditë me makinë."
Në Tiranë hapësirat publike po zhduken nga dita në ditë.
Vendin e lulishteve sot e kanë zënë ndërtimet e në disa raste parkingjet private.
"E kanë zënë makinat komplet."
Edhe qytetarët nga ana e tyre flasin për mungesë të hapësirave të gjelbërta, mjediseve çlodhëse dhe parqeve në kryeqytet.
"Lulishtet që kanë qenë janë prishur, janë transformuar. Edhe atje te kodrat, liqeni po thahet nga dita në ditë. Mbase ka plan bashkia të bëjë pallate dhe aty. Çdo zonë e lirë po bëhet pallat, kjo është fatkeqësia e kombit se nuk betonizohet."

