Nuk pret Kushtetuesen, Qeveria jep 900 mln lekë për Teatrin Kombëtar, Aleanca kërkon pezullimin e punimeve

Gjykata Kushtetuese prej më shumë se një jave është tërhequr për të dhënë vendim për Teatrin Kombëtar sa i përket kërkesës për pezullimin e ndërtimit të godinës deri në përfundimin e çështjes.

Ende pa u shprehur institucioni më i lartë i drejtësisë dhe kur dosja është duke u hetuar nga SPAK, Qeveria ka miratuar fondin e dhënë për Bashkinë e Tiranës.

Madje akti normativ është diskutuar në komisionet parlamentare.

"Shtesa në masën 900 milion lekë si transfertë specifike për Bashkinë e Tiranës për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar."

Vendimi ka vënë në alarm Aleancën për Teatrin, e cila i kërkon Gjykatës Kushtetuese për tu shprehur me urgjencë.

Madje përmes mediave kërkojnë dhe reagimin e ambasadorëve.

 "Do t'i bëja një kërkesë ambasadorëve, sidomos ambasadores Kim e cila ka ndikuar shumë edhe në ngritjen e GJ.K. është momenti që ambasadorja duhet të dalë, të prononcohet dhe të bëjë një presion institucioneve përgjegjëse të cilat duhet të presin zbardhjen e vendimit nga GJ.K.

Ambasadorja të mos merret me media, të mos merret me vogëlsira që nuk kanë interes publik. Media pasqyron lajmet që janë reale dhe publike dhe jo ato që duan ambasadorët. Ambasadorja të dalë sot dhe të thotë pse Këshilli i Ministrave pas 6 ditëve që GJ.K nxori një kat normativ i cili është në shkelje të plotë të Kushtetutës."

Vendimi i Qeverisë për ata që mbrojnë për 2 vite Teatrin Kombëtar është presion i hapur.

"Është një lloj presioni që institucionet përgjegjëse që janë dhe pjesë e procesit, e dinë më mirë se çdo kushdo tjetër se në çfarë faze ndodhet."

Në orën 4 të mëngjesit të 17 majit 2020, forcat e policisë larguan me dhunë protestuesit teksa fadromat nisën rrafshimin.

Prej asaj kohe shoqëria civile ka denoncuar edhe për zhdukjen e materialeve që përdoreshin në shfaqje të ndryshme.