Armët “sheshit”, 313 të arrestuar për armëmbajtje pa leje në 4 muaj

Numri relativisht i lartë i armëve në qarkullim mbetet një problem shqetësues për vendin.

Në katër muajt e parë të këtij viti, për këtë vepër janë arrestuar 313 persona.

Në të shumtën e rasteve, ndërhyrja e policisë ka ndodhur në kushtet e flagrancës.

Shifrat shqetësuese nga ana e efektivëve blu justifikohen me aksionet e shumta për shkak të listimit si prioritet nga ana e tyre të goditjes së fenomenit.

Ndërkohë, ekspertët thonë se pavarësisht nismave të ndërmarra për heqjen e tyre nga qarkullimi, përfshirë këtu amnistitë në rast dorëzimi, armëmbajtja mbetet ende një çështje që duhet trajtuar seriozisht.

Ata thonë gjithashtu se nga të dhënat, rezulton se shumica e armëve kanë mbetur që nga periudha e hapjes së depove në vitin 1997, por ka gjithashtu edhe armë që janë trafikuar nga jashtë vendit në mënyrë të jashtëligjshme.

Drejtoria e përgjithshme e policisë ka caktuar datën 31 dhjetor si afatin përfundimtarë të dorëzimit të armëve të gjahut.

Fillimisht si datë përfundimtarë ishte ajo e 31 majit por për shkak të angazhimeve të policisë data u shty.

Vetëm pak muaj më parë në  zonën e kinostudios u zbulua një arsenal i madh armësh, të cilët sipas ekspertëve shumë prej tyre ishin tejet të sofistikuara. Kësisoj ata sugjerojnë aksione më të shpeshta në këtë kuadër.