Kokainë ''firmato'', 300 kg ishin paketuar me logon e "Dior", ''PSG'', ''Chigago Bulls'' e ''Louis Vuitton''

Plot 300 kg kokainë janë kapur ditën e sotme në Portin e Durrësit në një kamion që vinte nga Maqedonia e Veriut.

Droga ka qenë e ndarë në pako me logo të ndryshme duke filluar nga ajo me tigër, PSG, Chigago Bulls apo edhe Dior.

Ka qenë skaneri i portit ai që ka zbuluar kokainën në kamion gjatë një kontrolli nga autoritetet portuale.

Lidhur me këtë rast është arrestuar edhe një shtetas 40-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, në cilësinë e shoferit të kamionit.

Akoma nuk dihet se sa kohë ka qëndruar në port kamioni, por dyshohet se droga po kalonte tranzit në vendin tonë.

Po ashtu, akoma nuk dihet se nga ka ardhur sasi e madhe e drogës dhe cili ishte destinacioni i saj përfundimtar.

Nga ana tjetër, në operacion ka qenë përfshirë edhe DEA amerikane, pasi ka pasur një shtim rastesh të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës dhe vendit tonë konkretisht.

DEA Amerikane në shumë raste nuk ka ndërhyrë në mënyrë direkte, por i ka vënë GPS automjeteve duke lajmëruar autoritetet e shteteve të caktuara, në mënyrë që të zbulohet rrjeti kriminal i trafikut të kokainës.

Porti i Durrësit është kthyer në një port shumë të volitshëm për një trafik të tillë të kokainës, ku janë sekuestruar sasi të mëdha kokaine  të fshehura në kamionë me kofsha pule ose kontenierë me banane.