Bilanc tragjik nga aksidentet, 90 viktima në rrugë në pesëmujorin e parë të 2021

Pesëmujori i parë i vitit 2021 ka regjistruar një bilanc tragjik përsa i përket aksidenteve rrugore dhe viktimave të regjistruara në to.

Të dhënat më të fundit të INSTAT konfirmojnë se goditjet kanë rezultuar fatale për 90 persona.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë numërohen 32 viktima më shumë.

Por shqetësues mbetet edhe numri i lartë i aksidenteve, ku gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 547 aksidente me një rritje prej 40.3%.

Vetëm në muajin që lamë pas janë shënuar 20 viktima nga 9 që janë regjistruar një vit më parë.

Madje gjatë muajit Maj numri i aksidenteve për të njëjtën periudhë është rritur me 60%.

Në këtë periudhë janë shënuar 120 aksidente nga 75 që numëroheshin në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kryeqyteti vijon të qëndrojë në krye të listës si më problematiku në lidhje me këtë situatë, ndjekur më pas nga Lezha dhe Fieri.

Problematike vijon të mbetet sjellja e drejtuesve të mjetit pasi 84.2% e rasteve kanë ndodhur për këtë shkak.

Drejtuesit e grupmoshës 25-34 vjeç kanë regjistruar 145 goditje gjatë muajve janar-maj me një rritje prej 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.