Operacioni “Bregdeti Ynë” në Ksamil/ Pronarët: Kemi marrë legalizimin, do të përballemi në gjykatë

Operacioni Bregdeti Ynë për lirimin e hapësirave të zëna nga objekte pa leje ndërtimi, ka vijuar në zonën e Ksamilit, ku pronarët e një objekti kanë denoncuar për parregullsi ligjore në aktin e IKMT, ndërsa shtojnë se do ta ndjekin çështjen në rrugë ligjore.

Operacioni bregdeti ynë vazhdon aksioni për shembjen e objekteve që nuk janë të legalizuara.

Të premten fadromat e IKMT kane shembur këtë objekt dy katesh në Ksamil.

Anila dhe Stavro Balkoni e kishin ndërtuar këtë hotel 22 vite më parë, por fadromat e IKMT e rrënuan të premten.

Sipas Kristos, djalit të familjes, shembja e objektit të tyre vjen për shkak të një projekti për investime te reja në atë zonë, dhe jo si ndërtim pa leje. Ai paralajmëron se do të përballet në gjykatë me urdhëruesit e këtij akti.

“Duhet te hapim një rrugë të re gjyqësore dhe do të shkojmë deri në fund edhe në Gjyaktën Evropiane. Kemi 22 vite këtu, kemi leje ndërtimi. Vendosëm të bënim një investim strategjik, ishim gati të tërhiqeshim kundrejt dëmshpërblimit."- tha ai. 

Para shembjes inspektorët e IKMT larguan nga hoteli, ndërsa në shenjë proteste pronarët lanë brenda rrënojave  disa prej sendeve personale.