Vdekja e elektriçistëve aksidentale, lirohen drejtuesit e OST Fier të akuzuar se urdhëruan punimet
Gjykata e Fierit nxorri nga qelia e burgut dy zyrtarët e Operatorit të Sistemit të Transmetimit të arrestuar pas ngjarjes tragjike ku dy elektriçistë humbën jetën duke punuar në fshatin Jagodinë të Roskovecit.
Togat e zeza vendosën që drejtuesi i OST-së Andi Prifti dhe inxhinieri Eriseld Lala do të vazhdojnë të hetohen në gjendje të lirë, me argumentin se vdekja e dy elektriçistëve ka qenë aksidentale dhe se të dy zyrtarët nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore.
Në një seancë që zgjati për rreth dy orë dhe të zhvilluar me dyert të mbyllura është zbuluar edhe mekanizmi i aksidentit tragjik ku humbën jetën Gjergji Duka 50 vjeç dhe Bashkim Saliasi 64-vjeç.
Sipas Prokurorisë, ishte prerja e kablloveve në shtyllën ku ata ndodheshin, ajo që u bë shkak që struktura të mos mbante peshën dhe të rrëzohej duke i zënë poshtë.
Punonjësit e OST, sipas prokurorisë, në projektin e zëvendësimit të linjës 110 KV kishin për detyrë prerjen e kabllove vetëm në shtyllat kryesore në fillim dhe në fund të linjës.
Pjesa tjetër ishte detyrë e një kompanie nënktoraktore e specializuar për këto punime, por për arsye ende të paqarta ata kanë kryer një punë që nuk ishte detyrë e tyre.
Në këto kushte prokuroria ka ndryshuar veprën penale ndaj zyrtarëve të OST nga “shpërdorim detyre” në “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”, akuzë për të cilën ata do të hetohen në gjendje të lirë.

