Sekuestrohen 300 kg kokainë në portin e Durrësit, prangoset drejtuesi i mjetit që e transportonte
Një tjetër ngarkesë me sasi të konsiderueshme kokaine është sekuestruar në portin e Durrësit në një kamion të ngarkuar me hekur. Policia arrestoi drejtuesin e mjetit Nazif Ajrovksi nga Maqedonia e Veriut i cili tha se nuk kishte dijeni për sasinë prej 300 kilogramë drogë që u gjet në kamion. Mjeti i transportit do udhëtonte me traget drejt Italisë me destinacion final qytetin e Napolit.
Një ngarkesë me 300 kilogramë kokainë u zbulua në portin e Durrësit në një kamion të ngarkuar me hekur pasditen e të premtes. Policia tha se në pranga ka rënë drejtuesi i mjetit, shtetasi Nazif Ajrovski, nga Maqedonia e Veriut.
Burimet e policisë thanë se kanë qenë pikërisht lëvizjet dhe veprimet e dyshimta të drejtuesit të mjetit që janë bërë shkak për kontroll të thelluar në ngarkesën e kamionit.
Pas gjetjes së lëndës narkotike Ajrovski ka thënë se nuk kishte dijeni për drogën në kamion duke shtuar se ai kishte dijeni vetëm për ngarkesën me materiale ndërtimi.
Kamioni ku u gjet kokaina në një hapësirë të modifikuar pranë serbratorit, kishte hyrë në Shqipëri dy ditë më parë.
Në një deklaratë për ngjarjen policia tha se “si rezultat i kontrolleve të shtuara me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar edhe në analizën e riskut, task forca e policisë ka kaluar për kontroll të detajuar në vijën e dytë në dalje kamionin tranzit me targa të Maqedonisë së Veriut.
Në njoftimin e policisë, bëhet e ditur se si rezultat i kontrollit të imtësishëm u gjet e fshehur në trupin e kamionit, një sasi rreth 300 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Siç tregojnë edhe fotografitë e publikuara nga policia e Shtetit, kokaina ishte e ndarë në pako të cilat ishin markuar me Chicago Bulls”, “Dior”, “Kenzo”, dhe të ekipit të futbollit PSG-së.
Kamioni me hekur që ka kaluar nga Serbia në Maqedoninë e Veriut e më pas në Shqipëri, mësohet se priste të nisej me target drejt Italisë ku si destinacion kishte qytetin e Napolit.
Pak javë më parë në Kosovë u sekuestruan 400 kilogramë kokainë në një kamion me mish nga Brazili që kishte kaluar nga porti i Durrësit.
Logot me ngjyrë të kuqe në disa prej pakove të kokainës të kapura së fundi në Durrës janë të njëjta me ato të pakove të drogës së bllokuar në Lipjan pak javë më parë.
Më herët në portin e Durrësit janë kapur edhe tri ngarkesa të tjera, konkretisht 49 kg kokainë në prill 2021, 137 kilogramë kokainë në shtator 2019, dhe 613 kilogramë kokainë në shkurtin e vitit 2018.
