Tepelenë/ Banorët e Bënçes kundër fabrikës së bitumit, përplasen me përfaqësuesit e firmës, lëndohet Auron Tare

Ndërtimi i rrugës nga Bënça në Kurvelesh ka sjellë përplasje mes banorëve të zonës dhe kompanisë së ndërtimit. Familjet janë ngritur në protestë për të mos lejuar dëmtimin e mëtejshëm të ekosistemit,  por thonë se janë kërcënuar me armë. I dëmtuar në plagosje ka mbetur dhe eksperti i trashëgimisë Auron Tare.

Protesta e banorëve të Bënçës në Tepelenë për të mbrojtur ambientin ku jetojnë ka përfunduar në përplasje dhe kërcënime me armë.

Duke e akuzuar kompaninë që po ndërton rrugën drejt Kurveleshit se mbetjet i hedh pa kritere, kërkuan mbështetjen e ambientalistëve dhe ekspertëve të trashëgimisë kulturore. Por edhe kjo nuk u dha zgjidhje.

Pavarësisht prezencës së ekspertëve të njohur, thonë se askush nuk reagoi madje deklarojnë se janë kërcënuar me armë.

Gjatë përplasjes mbeti i lënduar edhe eksperti i trashëgimisë kulturore, Auron Tare, i cili ka pretenduar se është dhunuar nga punëtorët e firmës, të cilët i ka denoncuar në polici.

Kjo është e disata herë që banorët protestojnë kundër kësaj problematike. 

Madje ata akuzojnë se peticioni me firmat që jepte miratimin e nisjes së punimeve është i falsifikuar dhe se nuk është firmosur nga ata.