Si u sekuestrua brenda kamionit 300 kg kokainë në portin e Durrësit, të përfshirë edhe amerikanët
Plot 300 kg drogë e llojit kokainë është kapur në Portin e Durrësit ditën e sotme nga Policia Kufitare e Portit.
Ndërkohë, Ora News sjell edhe pamje nga momenti kur autoritetet policore të portit kanë zbuluar drogën brenda kamionit me ngjyrë të bardhë.
Nga ana tjetër, është vënë në pranga edhe shoferi i automjetit, i cili është një shtetas nga Maqedonia e Veriut i moshës 40-vjeçare.
Akoma nuk dihet se nga cili vend është nisur droga, ndërsa ka dyshime se në këtë operacion mund të jenë përfshirë edhe persona të tjerë.
Mësohet se policia shqiptare në bashkëpunim me DEA-n amerikane ka pasur kohë në ndjekje të sasive të tilla të kokainës.
Në portin e Durrësit gjatë viteve të fundit janë kapur sasi të konsiderueshme droge, kryesisht të fshehura në kamionë ose në kontenierë bananesh.
"Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kamionin që drejtohej nga një shtetas nga Maqedonia e Veriut, Task Forca gjeti të fshehur në trupin e kamionit, një sasi rreth 300 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës u arrestua në flagrancë drejtuesi i kamionit, shtetasi N. A., 40 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut.'' - njofton policia.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të.
