Policia e Kosovës zbret në Shqipëri, ambasadori Hasani kërkon policë shqiptarë në Prizren e Gjakovë
Policia e Kosovës do të ushtrojë kontrolle në zonat turistike në Shqipëri në këto muaj të nxehtë. Për këtë qëllim është nënshkruar dhe marrëveshja mes dy palëve, ku u kërkua që forcat e rendit të Shqipërisë të jenë prezent në Prizren e Prishtinë.
Edhe këtë vit në bregdet dhe në akset kryesore policia shqiptare do të patrullojë në krah të asaj të Kosovës. Me qëllim ndalimin e të kërkuarve por dhe për ti ardhur në ndihmë shtetasve është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit.
Ardi Veliu: Prezenca e Patrullave të Policisë së Kosovës ndoshta është pak simbolike përsa i përket numrit apo mjeteve, por mendoj që prezenca e shërbimeve tuaja së bashku me shërbimet tona jo vetëm që ndikojnë në rritjen e sigurisë, por ofrojnë dhe një ngrohtësi apo një vlerësim a ndjeshmëri të qytetarëve të Kosovës, në drejtim të bashkëpunimit me shërbimet e Policisë tonat dhe tuajat së bashku.
Kemi përgatitur një kontingjent fletëpalosjesh të cilat do t’i vendosim dhe do t’i shpërndajmë në vendkalime duke bërë thirrje që qytetarët sa herë të kenë nevojë, në rast se do të jetë e nevojshme dhe duan prezencën e Policisë të dijnë se si të orientohen, ku të telefonojnë, çfarë numrash telefoni apo çfarë aplikacioni të përdorin dhe në rast se do të kenë nevojë që ne t’u përgjigjemi në kohën e parë.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, nënvizoi rëndësinë për vazhdimin e kësaj tradite.
Ndërsa ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri Nait Hasani, kërkoi që edhe policia shqiptare të jetë prezente të paktën në dy qytete kryesore të Kosovës.

Samedin Mehmeti: Është nder, është privilegj, është kënaqësi të jem në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë, për të nënshkruar një marrëveshje të tillë. Policët tanë kanë operuar së bashku me kolegët e tyre shqiptarë dhe kanë shkëmbyer përvojat e tyre më të mira të mundshme, kanë shkëmbyer informacione, janë lidhur edhe ura miqësie edhe ura vëllazërie mes tyre. Ata edhe sot e kësaj dite mbajnë kontakte me njëri-tjetrin, që për neve është shumë e rëndësishme.
Natyrisht që bashkëpunimi jonë nuk është ngushtuar vetëm në fushën e trafikut, por edhe në fusha të tjera. Patëm një operacion jashtëzakonisht të mirë para disa ditëve, për çka shfrytëzoj rastin që edhe njëherë t’ju falënderoj juve dhe Policinë shqiptare, për punën jashtëzakonisht të mirë që e bënë në operacionin e konfiskimit të narkotikëve gjatë periudhës që lamë pas. Qe një operacion që rezultoi me një sukses të jashtëzakonshëm e që është çmuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë edhe besoj edhe nga gjithë të tjerët.
Nait Hasani: Është e rëndësishme që të ketë siguri të përbashkët për qytetarët tanë që vijnë me pushime, është një ngarkesë shumë e madhe e trafikut këto ditë dhe po ashtu që të jemi bashkërisht në sigurinë dhe mbrojtjen e jetës së tyre.
Kërkesa jonë gjithnjë ka me qenë që ata që vijnë me pushime nga një gazmend, nga një kënaqësi që e kalojnë mos të kthehet në tragjedi dhe me mbet pjesë e rrugëve. Prandaj ky memorandum i bashkëpunimit është i mirëseardhur, por në të njëjtën kohë unë kisha për të propozuar që të kemi edhe polic shqiptar që të kishin dalë nëpër Prizren, nëpër Gjakovë, vijat kufitare ose diku atje që del, dhe atje të njihet prezenca e Policisë shqiptare.
Gjatë sezonit të verës në Shqipëri nënshkruan marrëveshje dhe me Maqedoninë dhe Italinë.