Me kazma e lopata, natë dhe ditë, banorët e Godoleshit i përvishen punës për ndërtimin e rrugës
Punimet në këtë rrugë nuk po kryehen nga një kompani ndërtimi. Janë vetë banorët e fshatit Godolesh të Elbasanit, që kanë vendosur t’i përvishen punës, pasi për tetë vite autoritetet vendore nuk kanë investuar.
Të rinj e të moshuar, kanë marrë mjetet e tyre e kanë nisur të shtrojnë rrugën e fshatit.
Për shkak të angazhimeve të tjera, ata nuk punojnë vetëm gjatë ditës.
Edhe në mbrëmje banorë të caktuar nuk ndalin punimet me synimin për ta përfunduar rrugën sa më shpejt.
Thonë se prej vitesh e kanë kërkuar nga institucionet që të bëhet rruga por askush nuk është përgjigjur, ndaj kanë mbledhur vetë paratë dhe punën po e bëjnë vetë.
"Kemi 8 vite që kërkojmë të bëhet kjo rrugë këtu dhe vazhduam me shpatullat tona, me kazma e lopata, natën, po vuajmë pikën e zezë".
Shprehen të revotuar për shkak të neglizhencës.
"Pse nuk na ndihmon njëherë shteti, si në kohën e monizmit, si në kohën e dreqve. Gjithë hajdutët dhe maskarenjtë nuk e kthejnë njëherë kokën për këtë fshat.Çfarë jemi ne, çfarë ka bërë ky fshat?"
Fatkeqësisht, fondi që ata kanë mbledhur vullnetarisht është drejt fundit, ndaj kërkojnë ndihmë.
"Kërkojmë ndihmë akoma, ta shtrojmë më mirë rrugën".
"Të na sjellin zhavorr dhe çimento."
Për bashkinë Elbasan ajo që ka penguar ndërhyrjen ka qenë terreni i vështirë.

