Urdhri i Biden, Yuri Kim: Do i kërkojmë llogari përgjegjësve të abuzimeve serioze në Ballkanin Perëndimor

Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim bëri të qartë edhe një herë se SHBA është e vendosur për të mbështetur luftën kundër trafikut të qënieve njerëzore dhe kundër abuzimit të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor.

Urdhri i fundit i Biden është i qartë dhe për SHBA kjo është përparësi kombëtare.

 “Presidenti Biden dhe sekretari Blinken e kanë bërë të qartë se korrupsioni, abuzimi me të drejtat e njeriut, krimet e tjera destabilizuese përbëjnë kërcënime jo vetëm për SHBA por dhe për botën. Ata kanë udhëzuar agjencitë qeveritare të SHBA për të mbrojtur SHBA dhe aleatët kundër dëmit që shkaktohet nga krimet e rënda dhe abuzimet si trafikimi i qënieve njerëzore.  

Ne synojmë të kërkojmë llogari të atyre që janë përgjegjës apo bashkëpunëtor në abuzime serioze me të drejtat e njeriut në Ballkanin Perëndimor. Kjo do të thotë që trafikantët përfaqësojnë  një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sgurinë kombëtare e politikën e jashtme të SHBA"

Non grata

Ambasadorja nënvizoi rëndësinë e luftës kundër abuzimit ndaj të drejtave të njeriut dhe trafikut të qënieve njerëzore në Shqipëri. 

"Përgatitjet e Shqipërisë për negociatat e anëtarësimit në BE dhe anëtarësim nuk kërkon asgjë më pak" nënvizoi ambasadorja duke i kujtuar abuzesve se vendimet me të cilat përballen në SHBA.

 “Nëse trafikoni qënie njerëzore ne ndalojmë hyrjne në SHBA.

Nëse keni një vizë amerikane ajo nuk hyn në punë

Nëse ke një peticion për një vizë emigrimi nuk pi ujë.  

Nëse trafikoni qënie njerëzore qeveria e SHBA do të ndërmarrë veprime kundër pronës tuaj nëse kalon përmes apo ka lidhje me SHBA.

Ambasadorja e SHBA-së nënvizoi më tej se urdhri ekzekutiv i presidenit Biden kërkon veprim kolektiv në konferencën për përpjekjet e përbashkëta për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore në Shqipëri organizuar paraditen e sotme në Tiranë dhe online.

Lufta kundër këtij fenomeni bëri bashkë ambasadorët e OSBE, BE e SHBA në Tiranë. Edhe kreu i prezencës së OSBE-së, Viçenco del Monaco vuri theksin tek bashkëpunimi mes shteteve në luftën ndaj këtij fenomeni.    

Për ambasadorin e BE-së,Luigi Soreca me rëndësi është dhe dënimi i trafikantëve. Nga ana e saj zv/ ministrja e Brendshme e Shqipërisë theksoi se ka një bashkëpunim të fortë për të luftuar këtë fenomen. 

Kush e organizoi konferencen 

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Zyra e Përfaqësuesit të Posaçëm dhe e Koordinatorit të OSBE-së për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore organizuan konferencën për përpjekjet e përbashkëta për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore në Shqipëri, më 17 qershor 2021, në Tiranë dhe online.