“Silurë” për Lelin nga Sazani, Kryebashkiaku “shmang” përballjen, PS e “zëvendëson”

Nga ishulli i Sazanit, drejtuesi Politik i PS, në Vlorë, Damian Gjiknuri lëshoi disa silurë politikë, drejt zyrës se kryebashkiakut Dritan Leli. Ndërsa ky i fundit po i shmanget llogaridhënies publike të kërkuar nga këshilltarët, Gjiknuri në krah të ministrit Klosi demostruan atë që socialistët e cilësojnë dështim të bashkisë me pastrimin në sezon turizmi.

Ndërsa kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, mban çelësat e zyrës,  në terren strukturat e Partisë Socialiste e kanë zëvendësuar me vartësit, të besuarin që siç thonë i zhgënjeu.

Në nisjen e fushatës për pastrimin e ishullit të Sazanit, drejtuesi politik, Damian Gjiknuri, u shfaq me nënkryetaren Aulona Veizi në krah si përfaqësuese e Bashkisë së Vlorës.

“Kemi një zonë të nderuar, zv. kryetaren po aq e rëndësishme dhe shumë institucione që duhet të bëjnë detyrën dhe po e kryejnë në maksimumin e tyre përditë".

E prej aty, Gjiknuri i lëshoi një “silurë politik”, të parit të Vlorës, duke theksuar kritikat e turistëve sidomos për çështjen e pastrimit.

Për këtë por dhe punë të tjera, anëtarët e Këshillit Bashkiak të Vlorës kërkojnë llogaridhënie publike nga Dritan Leli, por ky i fundit po e shmang përballjen.

“Elementi bazë për shumë turistët dhe në Sazan ka qenë se si të jetë ambienti i pastër, kështu që secili nga ne duhet të japë kontributin e tij dhe kjo e mirëpritur dhe pres që institucionet lokale të bëjnë më shumë në këtë drejtim, sepse duhet menduar për një plan menaxhimi në këtë pikëpamje, sepse ishulli është pjesë e Bashkisë së Vlorës dhe e lidhjes së  turizmit të Bashkisë prandaj meritohet më shumë vëmendje”, tha Gjiknuri.

Kjo verë pritet të rigjallërojë sektorin e turizmit të goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit.

Ndaj edhe ministri i Turizmit i kujtoi Kryebashkiakut përgjegjësitë.

 “Krisja” që u kthye në “luftë” politike mes Dritan Lelit dhe strukturave të Partisë Socialiste nisi para fushatës për zgjedhjet parlamentare.

Kryebashkiaku i Vlorës refuzoi atë kohë ofertën e Kryeministrit që të linte karrigen dhe zyrën dhe të kërkonte një mandat deputeti në sfidën për mandatin e tretë.