Siguruan mjetet për vrasjen e vëllezërve Haxhia, dalin pamjet e arrestimit të dy të akuzuarve

Publikohen pamjet e arrestimit  të shtetasve Besian Xhixha., 30 vjeç, banues në Larushkë, Krujë dhe Enver Diva., 42 vjeç, banues në Fushë Mamurras, Kurbin, të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në 27 prill të një viti më parë.

Operacioni i koduar "Vazhdimi" u  realizua nga DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës, me mbështetjen e Forcave Speciale Renea dhe të Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH, nën drejtimin e Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

"Në vijim të punës hetimore të bërë nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës, nën drejtimin e SPAK-ut, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të vrasjes së dyfishtë të ndodhur në vitin 2020, në tregun e makinave në Shkozet, Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri dy vëllezër, bazuar në provat e grumbulluara, mëngjesin e sotëm u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar "Vazhdimi". Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve Besian Xhixha., 30 vjeç, banues në Larushkë, Krujë dhe Enver Diva., 42 vjeç, banues në Fushë Mamurras, Kurbin" njoftoi policia.

Për këta shtetas, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje" , kryer në bashkëpunim dhe "Mashtrimi".

Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë krijuar dhe siguruar mjetet për kryerjen e vrasjes së vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia.

Nën drejtimin e SPAK-ut vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar. 

Materialet do t’i dërgohen Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.