Zyrtare/ Fridman Xhaferraj u vra në Korçë dhe më pas trupi i tij u hodh në rezervuar

25-vjeçari, Fridman Xhaferraj, i gjetur i vdekur të dielën (13 qershor) në një rezervuar, është vrarë në Korçë, sipas versionit zyrtar të prokurorisë. Tanimë organi i akuzës ka ndërtuar të gjitha lëvizjet e Fridman Xhaferajt që nga data 21 maj kur ai është liruar nga burgu dhe mori masën e sigurisë "arrest shtëpie".

25-vjeçari, Fridman Xhaferraj, nga Lushnja është vrarë në Korçë pas prishjes se pazareve të drogës.

Ky është konkluzioni paraprak në të cilin kanë arritur prokurorët, 4 ditë pas gjetjes së trupit të pajetë të tij në rezervuarin e fshatit Gjanc.

Sipas hetuesve, Xhaferraj është larguar nga banesa me datën 22 maj, një ditë pasi ai është liruar nga burgu dhe është vendosur masa e sigurisë “arrest shtëpie”, masë kjo e vendosur pasi akuzohej për djegien e 3 makinave në një qendër tregtare në Lushnje.

Me datën 23 maj, policia ka shkuar në shtëpinë e 25-vjeçarit në fshatin Plug të Lushnjes për të kontrolluar zbatimin e masës së sigurisë, dhe nëse Xhaferraj ndodhej në shtëpi, dhe aty ka zbuluar se ai kishte thyer masën e sigurisë.

Vëllai, i cili gjendej në shtëpi, ka deklaruar që Fridmani është nisur për të punuar në Greqi me disa persona të tjerë.

Por, sipas burimeve te prokurise ai kishte ikur drejt Elbasanit ku është takuar me Lulzim Spahinë, i shpallur në kërkim për vrasjen e Xhaferrajt bashkë me një tjetër person me inicialet K.B.

Pas Elbasanit, të tre personat kanë ikur drejt Korçës ku edhe kanë qëndruar në një hotel, ndërsa dyshohet se Xhaferraj është tortuaruar, lidhur, vrarë e më pas e kanë hedhur në rezervuar për të zhdukur gjurmët.

Burime të prokurorisë pohojnë se 25-vjeçari është vrarë për larje hesapesh pas prishjes së pazareve të drogës.