Xhaçka në SEECP për negociatat: Do të vihet në provë besueshmëria e BE-së
Qeveria shqiptare e konsideron si provë të besueshmërisë vendimin e Brukselit zyrtar në Konferencën Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Qëndrimi u bë i ditur nga ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, në Antalia të Turqisë.
Shefja e diplomacisë shqiptare, Olta Xhaçka, i ka përcjellë një mesazh Brukselit zyrtar nga Turqia, në lidhje me çështjen e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.
Gjatë takimit të Ministrave të Jashtëm dhe në Samitin e Procesit të Evropës Juglindore, Xhaçka vlerësoi rezultatet e bashkëpunimit rajonal, duke theksuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet një nxitës i rëndësishëm në këtë proces.
“Shumë shpejt, besueshmëria e BE-së do të vihet në provë me vendimin e saj mbi Konferencën e parë Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Është një provë thelbësore jo vetëm për të dy vendet tona, por për rajonin në tërësi dhe për bashkëpunimin rajonal në Evropën Juglindore.”
Xhaçka vlerësoi kontributin e kryesisë turke të Procesit të Evropës Juglindore.
Më herët në takim me homologun e saj Çavushoglu, foli për intensifikim të marrëdhenieve ekonomike mes dy shteteve.

