Familjarët kërkojnë lirimin e Edison Begaj: Dy fëmijët e mitur rrugëve, atentatori i tij i lirë

Në një aksion të gjerë të policisë në Vlorë pak ditë më parë në pranga ra edhe Edison Begaj, një emër i njohur për blutë e qytetit bregdetar.

Begaj u plagos me 9 plumba me 29 maj, në hyrje të shtëpisë së tij nga një person i veshur me uniformë policie.

Në lidhje me aksionin e policisë, dhe me arrestimin tek biznesi i tij, kanë reaguar edhe familjarët e Begajt, duke hedhur akuza ndaj uniformave blu.

"Është plagosur në 29 maj në orën 11:20 duke shkuar te shtëpia e tij. Është plagosur me 9 plumba në këmbë dhe ka qenë me dy fëmijë të mitur në makinë, 7 dhe 6 vjeç. Edisoni është terrorizuar përsëri, edhe pse u plagos me 9 plumba, policia e shtetit i ka vajtur te biznesi i tij në Lungomare. U terrorizua gjithë lagjia, gjithë zona duke pasur dhe turistë në lokalin e tij. Është bërë me shenjë nga nëndrejtori i policisë që këta dy persona të shtrihen përtokë. Pse ky person shtrihet në tokë kur në datë 29 është plagosur nga një person me uniformë policie. Mjeti dhe uniforma e policisë janë gjetur në Lushnje".

Djali i xhaxhait të tij, Mikel Begaj shprehet se policia nuk ka mundur të mbrojë jetën e Edisonit, ndaj ai ka pasur armë zjarri me vete.

"Policia deri tani nuk ka bërë asgjë, thjesht shtriu Edisonin për herë të dytë para biznesit të tij, duke qenë i plagosur me 9 plumba.Këto janë prapaskena, nuk gjendet autori që e ka plagosur por merren akoma me Edisonin që ka 9 plumba në këmbë.Është i shtruar në spital. Duam të dalë e drejta, kush e plagosi. Armën e mbante për vetëmbrojtje, për çfarë mund ta mbajë tjetër një person kur nuk ka mbrojtje nga shteti. Duhet të kapet autori, këtë duhet të bëjë policia. Dy fëmijët e mitur i kam unë në shtëpi. Edisoni është i ndarë. Ka babain të sëmurë në koma, e ëma i vdiq para tre muajsh. Është prind i vetëm, vetë baba dhe nënë. Fëmijët janë terrorizuar sepse kanë qenë në makinë kur u plagos".

Begaj rezulton të jetë i dënuar në vitin 2010 me 7.6 vite burg për trafik droge, ndërsa edhe më vonë është kapur me lëndë narkotike.