Edhe dy të arrestuar për ekzekutimin e vëllezërve Haxhia, morën përsipër vrasjen por njëri u infektua me Covid

Besian Xhixha, 30 vjeç banues në Larushkë të Krujës dhe Enver Diva, 42 vjeç, banues në Fushë Mamurras, Kurbin u arrestuan si bashkëpunëtorë në ekzekutimin e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, vrasje e ndodhur më 27 prill 2020 pranë tregut të makinave në Durrës.

Ata u vunë në pranga nga Forcat Speciale RENEA, pas një urdhër ndalimi të nxjerrë nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion që ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë "arrest me burg".

Xhixha dhe Diva, që të dy persona me precedentë penalë, mësohet se ishin pajtuar nga Nuredin Dumani për të vëzhguar dy vëllezërit durrsakë.

Pasi kanë studiuar objektivët, ata kanë pranuar të kryejnë krimin kundrejt një pagese.

Por Enver Diva është infektuar me Covid dhe madje në atë kohë doli në media për tu ankuar për vështirësitë ekonomike me të cilat po përballej.

Xhixha e Diva akuzohen nga SPAK se krijuan kushtet dhe siguruan mjetet që u përdorën për vrasjen e dy vëllezërve, ku për ekzekutimin janë vënë në pranga Altin Ndoci dhe Klevis Alla.

Ky i fundit tashmë me statusin e dëshmitarit të mbojtur po bashkëpunon me prokurorinë dhe ka deklaruar se vrasjen e kryen bashkë me Talo Çelën dhe Nuredin Dumanin.

Çela e Dumani që të dy në kërkim, janë personazhe të njohura për policinë të përfshirë dhe dyshuar në disa ngjarje kriminale që kanë ndodhur në vend pas grabitjes së 4.6 milion eurove në aeroportin e Rinasit.

Sipas dëshmisë së Klevis Allës, shkak i vrasjes ishte humbja e një sasie parash që sipas tij Talo Çela u kishte lënë nën ruajtje dy vëllezërve Haxhia, të cilët nga ana e tyre pretendonin se u ishin  grabitur në servisin që zotëronin në Durrës.

Dumani dhe Çela nga ana tjetër dyshohet se janë të përfshirë edhe në vrasjen Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit, ngjarje e ndodhur më 2 Mars 2020, po në Durrës.

Nuredin Dumani, ndërkohë kërkohet edhe për vrasjen e vëllait të mikut të tij Talo Çela, Bujar Çelën, në shtator të vitit 2020 në një lokal në Bradashesh.

Kush janë dy të arrestuarit dhe njohja e tyre në burg

Xhixha dhe Diva nuk janë emra të panjohur për policinë. I pari është dënuar në vitin 2013 me 4 vjet e 8 muaj burg për akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë.

Në 27 maj 2012, Besian Xhixha së bashku me tre persona të tjerë morën peng në Durres Mujo Kurtin dhe e çuan në Fushë-Krujë. Shkak ka qenë një lidhje intime që Mujo Kurti ka krijuar me një vajzë të quajtur Diana, e cila më parë ka pasur një raport intim me Besian Xhixhën.

Ndërsa Enver Diva është dënuar nga Gjykata e Lezhës në 16 mars 2011 me 11 vite burg për akuzën e vjedhjes me armë dhe mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit.

Diva dhe Xhixha mësohet se janë njohur në burgun e Shënkollit në Lezhë.

Vrasja e dy vëllezërve Haxhia ndodhi më 27 prill të 2020-ës. Ata u zunë në pritë dhe drejt tyre u qëllua me 60 plumba.