Kosovë, Jahjaga dhe Thaçi urojnë Obamën
Liderët e Kosovës kanë uruar Barack Obamën me rastin e rizgjedhjes së tij për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Në telegramin e urimit të Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, thuhet se zgjedhjet presidenciale në SHBA janë frymëzim për të gjithë ata që punojnë për krijimin e shoqërive gjithëpërfshirëse, prosperuese dhe ndërtimin e demokracisë së mirëfilltë.“SHBA-të kanë luajtur rol vendimtar për lirinë dhe të drejtën e qytetarëve të Republikës së Kosovës të vendosin për fatin e tyre. Falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që, të udhëhequra nga ju, kanë luajtur rol të jashtëzakonshëm në shtet ndërtimin e Republikës së Kosovës, avancimin e proceseve demokratike dhe në rrugën e integrimeve euroatlantike”, thuhet në telegramin e urimit të presidentes Jahjaga.Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se rizgjedhja e tij për katër vitet e ardhshme, është mundësi e re e konsolidimit të politikave për ekonominë dhe prosperitetin e shoqërisë amerikane dhe thellimin e paqes në botë.Sipas kryeministrit të Kosovës, të gjithë qytetarët e Kosovës e kanë përcjell më vëmendje fushatën elektoralë.“Kosova dhe qytetarët e saj i janë mirënjohës SHBA-ve për përkrahjen dhe ndihmën që kanë dhënë si në të kaluarën, në ditët e sotme, ashtu edhe në të ardhmen”, thuhet në deklaratën e kryeministrit kosovar Thaçi.