Thaçi e Daçiç takohen sot në Bruksel
Dy kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç do të zhvillojnë sot në Bruksel takimin e dytë në kuadër të dialogut Prishtinë -Beograd. Jo zyrtarisht është bërë e ditur se ndër të tjera në tryezën e bisedimeve Brukseli ka nxjerrë çështjen e zbatimit të Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.Kryeministri kosovar Hashim Thaçi ka deklaruar se me Serbinë nuk do të diskutojë asnjëherë çështjen e statusit. Ende pa u ulur në tryezën e bisedimeve, për herë të dytë brenda pak javësh, të dy kryeministrat kanë lënë për të kuptuar se pikëpamjet e tyre rreth mënyrës së normalizimit të marrëdhënieve nuk përputhen.Thaçi nga Zagrebi tha se nuk do të diskutojë me Daçiç rreth statusit të Kosovës. "Statusi i Kosovës është zgjidhur përgjithmonë me shpalljen e pavarësisë", është shprehur Thaçi.Duke folur ndërkaq për temat e takimit, kreu i Qeverisë kosovare ka thënë se në rend të parë është zbatimi i marrëveshjeve paraprake të arritura në Bruksel."E para që duhet të ndodhë është zbatimi i marrëveshjeve teknike të arritura në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë në dy vitet e kaluara dhe ajo që duhet të ndodhë në mënyrë urgjente është largimi i strukturave paralele të sigurisë", ka thënë Thaçi pas një takimi që ka zhvilluar me Kryeministrin e Kroacisë.Ndërkohë edhe kryeministri serb, Ivica Daçiç, ka thënë se e ka idenë e vet të zgjidhjes së problemit, por ka mohuar njohjen e pavarësisë."Është e pamundur që Serbia ta njohë pavarësinë e shpallur të Kosovës", ka theksuar Daçiç.Ai ka thënë se Serbia është kundër normalizimit të marrëdhënieve, që nënkupton edhe arritjen e marrëveshjeve, por ka lënë të kuptohet se nga takimi i dytë me Thaçin nuk do të prodhojë ndonjë rezultat konkret. Çështja e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pjesë e kushtëzimeve që u janë bërë të dyja vendeve për përfshirjen në procesin e integrimeve evropiane.Serbisë i është kushtëzuar data e fillimit të negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosovës, ajo e fillimit të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.