BE nuk komenton urdhrin e SHBA-së: Ne kemi angazhimet tona me Ballkanin Perëndimor

Peter Stano, zëdhënësi i Bashkimit Europian i pyetur në lidhje me çështjen e dekretit presidencial të Biden u shpreh se vendimet e administratës amerikane nuk mund të komentohen nga ai.

Presidenti i SHBA-së ka firmosur një urdhër ekzekutiv për bllokimin e pasurisë dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të të gjithë atyre personave që kontribuojnë në destabilizimin e situatës në Ballkanin Perëndimor.

Urdhri u publikua ditën e djeshme, 8 qershor dhe u bë i ditur nga ambasadorja amerikane Yuri Kim.

Stano: "Nuk na takon neve të komentojë vendimet që merr administrata amerikane. Ne kemi angazhimet tona me partnerët e Ballkanit Perëndimor. Shembulli i fundit është takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme që e kishte pikë kryesore të axhendës zotimin ndaj partnerëve tanë në rajon.

 Xhozep Borel ka mbajtur rregullisht diskutime formale me liderët e Ballkanit Perëndimor mbi tema problematike për rajonin. Muajin e kaluar pati një takim informal për këto, pra kemi angazhime serioze për rajonin.

Reflektimi për sanksione te mundshme nuk është në axhendën tonë. Çdo vendim për sanksione të mundshme kërkon unanimitetin e shteteve.

Nëse shtetet anëtare bien dakord për sanksionet ndaj një regjimi të caktuar, atëherë do ndjekim vendimin e tyre, por për momentin kjo gjë nuk është në axhendë dhe nuk po diskutohet me partneret tanë në Ballkanin Perëndimor."